Sindikata e Punonjësve të Universiteteve kërkon rritje të buxhetit për arsimin

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot seancë dëgjimore me Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) për diskutimin e projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2025”.

Në nisje të mbledhjes anëtarët mbajtën një minutë heshtje, për humbjen e jetës së 14-vjeçarit vrarë pranë ambienteve të shkollës “Fan Noli”.

Kryetari i SPUSH, Sandër Kovaçi e konsideroi të pamjaftueshëm buxhetin për arsimin.

“Planifikimi në buxhetin e vitit 2025 për arsimin në tërësi, përfshirë edhe arsimin profesional, vetëm 2,45 % të PPB-së të vendit, ku për arsimin e lartë planifikohet vetëm 0,49% e PPB-së është krejt i pamjaftueshëm për sigurimin e një arsimi cilësor, por dhe larg objektivave të vetë mazhorancës për një buxhet prej 5 % të PBB për arsimin”, u shpreh ai.

Sa i përket kërkimit shkencor, Kovaçi tha se është planifikuar vetëm 0,06 % të PPB-së. Sipas tij, “ky nivel financimi nuk jep asnjë mesazh pozitiv për kërkuesit shkencorë në universitete apo jashtë tyre”.

Ndër kërkesat buxhetore Kovaçi renditi; rritjen e buxhetit për Fondin e Shkencës në 0.1 % të PPB-së ose 26 milionë euro, rritjen për pagat e pedagogëve me 10-15% etj.

Pas diskutimeve të anëtarëve si dhe përfaqësuesve të ministrive për kërkesat buxhetore të institucioneve arsimore dhe atyre të kulturës, anëtarët miratuan nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2025”.