Seferi: Rritje me 4 mijë lekë dhe indeksim i paketës higjieno-sanitare për para dhe tetraplegjikët

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, shqyrtoi sot kërkesat e grupeve të interesit për mbështetje përmes projektbuxhetit për vitin 2025.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi bëri të ditur se kërkesat e grupeve të interesit janë analizuar dhe se për kategorinë e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve do të ketë rritje të pagesës së paketës higjieno-sanitare.

“Kemi vendosur të shtojmë një pagesë ekstra, e cila në fakt i shtohet shumës kryesore e cila është pagesa e paketës higjieno-sanitare. Përveç kësaj është vendosur indeksimi i paketës çdo vit në masën e inflacionit siç publikohet nga INSTAT”, tha Seferi.

Sipas Seferit, paketa do të rritet me një shumë prej 4 mijë lekësh.

Ndërsa zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tha se MEKI në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të krijojnë mekanizmat për të bërë të mundur të gjithë atyre që nuk kanë përfunduar arsimin fillor, të mund të certifikohen për njohuritë e tyre që mund t’i kenë krijuar edhe përmes punës.

“Po punohet për një program specifik, që quhet njohja e të nxënit të mëparshëm, për ato kategori që mund të mos kenë një deftesë të notave të ciklit 9-vjeçar, por që përmes punës së tyre kanë arritur të përfitojnë aftësi. Njohja e këtyre njohurive të bëhet përmes një ekspertize. Është një proces i tërë, që quhet procesi i të nxënit të mëparshëm”, tha ajo.

Sipas Manjanit, nëpërmjet kësaj metodologjie do të kenë mundësi të përfitojnë nga kurset e arsimit dhe formimit profesional, duke zëvendësuar deri diku kriterin e e vendosur që është arsimi bazë 9-vjeçar.