Balluku: TAP mbështet projektin e gazifikimit të vendit, nis nga Korça
Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka pritur në një takim anëtarët e bordit drejtues të TAP, në kuadër të 4-vjetorit të nisjes së operimeve të këtij projekti në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Balluku thekson gatishmërinë për të vijuar më tej bashkëpunimin, duke vlerësuar kontributin e TAP në zhvillimin e sektorit të energjisë në vend.
“Me anëtarët e bordit drejtues të TAP, në 4-vjetorin e nisjes së operimeve në Shqipëri, ku shprehëm mirënjohjen e ndërsjellët për bashkëpunimin e deritanishëm, por edhe gatishmërinë për të vijuar më tej”, – shkruan Balluku.
“Përfaqësuesit e TAP shprehën mbështetjen e plotë për projektin e Qeverisë Shqiptare për gazifikimin e vendit, projekt i cili do të nisë nga Korça, e për të cilin javën e kaluar në Baku firmosëm marrëveshjen e bashkëpunimit me SOCAR. Mbetemi të hapur për të zgjeruar bashkëpunimin me një kompani kaq shumë të rëndësishme si TAP”, -përfundon postimi i Ballukut.

