SHBA, trysni Rusisë që të dorëzojë Snowden
Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me vende të tjera për të siguruar respektimin e ligjit lidhur me çështjen e dorëzimit të Edward Snowden, ish-kontraktori i zbulimit amerikan, i akuzuar për nxjerrje të sekretit.Duke folur gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se SHBA po ndjekin të gjitha kanalet e duhura ligjore.Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara thonë se po ushtrojnë trysni ndaj Rusisë për dorëzimin e ish kontraktorit që akuzohet për nxjerrjen e programeve të fshehta të përgjimit. Edward Snowden pritej të largohej sot nga Moska në përpjekjet e tij për t'i shpëtuar kapjes dhe për të kërkuar strehim politik.Edward Snowden duhej të nisej për një fluturim sot pasdite nga Moska për në Havanë, me destinacion të mundshëm Ekuadorin, ku ai po kërkon strehim. Por avioni për në kryeqytetin kuban u nis pa asnjë shenjë se Snowden ndodhej në bord.Themeluesi i Wikileans, Julian Assange, organizata sekrete e të cilit është duke e ndihmuar Snowdenin ndërsa ndodhet në arrati, tha se ai është i sigurtë, por nuk pranoi të tregonte vendndodhjen e tij.Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se Shtetet e Bashkuara i kanë dorëzuar rregullisht të dyshuar për krime Rusisë dhe shtoi se pritet që Rusia t’ja dorëzojë 30-vjeçarin Snowden autoriteteve amerikane.Zëdhënësi kritikoi Kinën për atë që e cilësoi “zgjedhje e paramenduar e Pekinit”, për ta lejuar Snowdenin të largohej dje me avion nga Hong Kongu për në Moskë. Ai tha se vendimi i Kinës, pa dyshim që ka dëmtuar marrëdhëniet amerikano-kineze.Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, gjatë një vizite në Indi, tha se autoritetet amerikane nuk e dinë konkretisht se ku mund të shkojë Snowden apo cili mund të jetë destinacioni që synon ai.Ministri i jashtëm i Ekuadorit, Richard Patinjo, tha në një konferencë shtypi në Vietnam se ai "nuk mund të japë informacion mbi vendndodhjen e Snowdenit", por qeveria e tij është në kontakt me Moskën.Snowden u largua nga Hong Kong dje për në kryeqytetin rus, megjithë kërkesën e autoriteteve amerikane për ekstradimin e tij që ai të përballet në gjyq me akuzat për spiunazh. Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar edhe Rusisë që ta kthejë atë.Zoti Kerry tha se do të ishte mjaft shqetësues lejimi nga Hong Kongu dhe Rusia që Snowden të vazhdojë udhëtimin e tij për t'iu shmangur ndjekjes ligjore në Shtetet e Bashkuara.