Presidenti Obama emëron James Comey në krye të FBI-së

Presidenti Barak Obama emëroi dje një ish-Zv/Prokuror të Përgjithshëm gjatë administratës së Presidentit Xhorxh Bush në postin e drejtorit të ri të FBI-së. James Comey do të zëvendësojë ish-shefin e FBI-së Robert Mueller:Presidenti Obama shpreson se lidhjet që zoti Comey ka me republikanët dhe eksperienca e gjatë në organet e rendit do të ndihmojnë për të bindur Senatin se ai është kandidatura e duhur për të drejtuar FBI-në.“Si Zëvendës Prokuror i Përgjithshëm, ai ka ndihmuar në drejtimin e Departamentit të Drejtësisë me zotësi dhe mençuri, duke u ballafaquar me kërcënimet e njohura dhe ruajtjen e gatishmërisë për kërcënimet e reja që shfaqen. Ai është shumë i kualifikuar për të përballuar sfidat me të cilat ballafaquar FBI-ja”.Që nga largimi nga Departamenti i Drejtësisë, zoti Comey ka qenë ndër të tjera një ndër drejtuesit e një kompanie private për mbrojtjen dhe këshilltar i një fondi investimesh në bursën e Nju Jorkut.Zoti Comey do të zëvendësojë Robert Mueller, i cili e mori detyrën një javë para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti Obama e zgjati mandatin e zotit Mueller për dy vjet në 2011.James Comey njihet për përplasjet që ka pasur me dy zyrtarë të administratës Bush në vitin 2004. Ai shkoi në spital të kontaktonte shefin e tij, John Ashcroft, për të mos lejuar që ndihmësit të merrnin miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm për të zgjatur një program që i jepte mundësi qeverisë të përgjonte telefonatat pa patur miratim nga gjykata.Zoti Obama e përmendi këtë incident, duke lavdëruar James Comey dhe zotin Mueller për integritetin e tyre.“Në momente vendimtare, me rëndësi kritike, ai u bashkua me zotin Mueller për të ngritur zërin për parimet e tij. Ai ishte gati të humbte punën që e donte, me kusht që të mos përziehej në diçka që e shihte si thellësisht të gabuar”.FBI-ja mbulon operacionet e rendit dhe të zbulimit brenda vendit. Kjo agjenci është vënë në qendër të vëmendjes kohët e fundit për rolin e saj në programet e përgjimit, përfshirë grumbullimin e tabulateve telefonike dhe komunikimeve me internet.