Mund të ishte kundërshtar i Shqipërisë në Europian, sulmuesi tregon si refuzoi Italinë: Spalleti më erdhi në klub

Matias Sule është kthyer në këtë edicion në Serinë A, në një prej emrave më të lakuar, duke tërhequr interesin e klubeve të mëdha botërore.

Lojtari i huazuar te Frozinone nga Juventusi, ka shënuar 10 gola e dhënë 2 asiste, teksa mendohet se në verë do të shitet te ndonjë klub i njohur.

Verë të cilën ai shpreson ta kalojë duke luajtur në Kupën e Amerikës me Argjentinën e tij, ose në Lojërat Olimpike.

Në fakt, gjërat mund të kishin qenë ndryshe dhe ai mund të ishte një kundërshtar i Shqipërisë në Europian, nëse do të kishte pranuar ftesën e Luçiano Spaletit për t’iu bashkuar Italisë.

Në një intervistë për “ESPN”, Sule ka zbuluar se trajneri i Italisë kërkonte ta bënte pjesë të grupit të futbollistëve që ka krijuar për pjesëmarrjen në Europian.

Por ai e kishte refuzuar, duke menduar që të mos largohej nga kampionët e botës në fuqi.

“Fola në telefon direkt me të. Pastaj erdhi edhe në klub për të më thënë personalisht gjithçka aty.

I thashë që e falënderoja për vlerësimin, por ishte një jo”, tregoi Sule në intervistën e tij ku gjithashtu zbuloi ëndrrën që kishte që një ditë të bëhej futbollist i Real Madrid.