Bayerni u mposht nga Dortmundi, dorëzohet Tuchel: Urime për Leverkusenin
Trajneri i Bayern Munchen, Thomas Tuchel, është dorëzuar në garën për titull në Bundesliga pas humbjes me rezultatin 2-0 në shtëpi ndaj Borussia Dortmundit.
Kjo humbje e Bayernit dhe fitorja e Leverkusenit ndaj Hoffenheimit, ka bërë që diferenca e “Aspirinave” në krye të tabelës me bavarezët të jetë 13 pikë, teksa kanë mbetur edhe shtatë ndeshje për tu luajtur.
“Urime për Bayer Leverkusen”, ishin fjalët që Tuchel i tha shkurtimisht pas ndeshjes për “Sky Germany”, vetëm disa orë pasi kryesuesi i pamposhtur i ligës Leverkuseni përmbysi rezultatin ndaj Hoffenheimit.
Kur u pyet nëse gara për titull ka marrë fund, Tuchel u përgjigj “natyrisht”, duke thënë se është “shumë e qartë” se Xabi Alonso do të fitojë titullin e tij të parë në Bundesligë.
“Pas ndeshjes së sotme nuk ka shumë për tu thënë”, u shpreh Tuchel, i cili do të largohet nga Bayerni në verë.
Leverkuseni ka humbur vetëm tetë pikë këtë sezon, ndërsa i duhen vetëm nëntë pikë në shtatë ndeshjet e tyre të fundit, për tu shpallur matematikisht kampion i Bundesligës për herë të parë.
Edhe veterani Thomas Muller i cili ka fituar 12 tituj në Munich u shpreh se duket e pamundur që Bayerni të fitojë titullin këtë sezon.
“Nuk jam një profesor i matematikës dhe nuk i kam bërë llogaritjet, por nëse jemi të sinqertë, duket e pamundur”, deklaroi ai.
