Altin Dumani i përgjigjet kritikëve: Aferën “McGonigal” e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022

Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani zhvilloi këtë të enjte një takim me studentë të Universitetit të Shkodrës.

Gjatë fjalës së tij Dumani i këshilloi të rinjtë që të mos heqin dorë nga të qenit idealistë, dhe të përpiqen të ruajnë integriteti, pavarësisht ndikimeve.

Ndërkaq ai kishte dhe një përgjigje për kritikët e tij, lidhur me dosjen e ish-agjentit të lartë të FBI-së amerikane Charjes McGonigal.

Deklarata e Dumanit gjatë bashkëbisedimit me studentet

Mos hiqni dorë nga të qënit idealist, është e vështirë, por jo e pamundur. Përpiquni të ruani integritetin tuaj, pavarësisht ndikimeve.

Për të qenë pjesë e SPAK duhet të kesh demonstruar integritet në detyrat e mëparshme. Kemi problemet tona, por puna në këto vite ka treguar që SPAK është në gjendje të hetojë ndaj subjekteve të ndryshme.

Kemi dhënë shenja se jemi në gjendje të përballemi me grupe kriminale. Jemi çdo ditë në këtë luftë, është e vazhdueshme. Për të folur për suksese duhen pritur vendime të gjykatave. Çdo ditë hetojmë, marrim persona nën hetim.

Po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë, është e lodhshme, por jo e pamundur.

Kemi ndryshuar filozofinë e kërkimit të provës, kemi investuar në teknologji.

Kemi përdorur në teknologji të ardhurat e sekuestruara nga krimi i organizuar. Për të qenë i suksesshëm duhet të kesh legjislacion të mirë dhe struktura të specializuar për luftën kundër korrupsionit.

Sa i takon pavarësisë së SPAK, ajo garantohet nga kushtetuta. Kemi pavarësi totale nga pushtetet e tjera. Nuk kemi marrëdhënie varësie nga pushtetet e tjera. Në fund, gjithçka varet nga integriteti i secilit aktor.

Objektivat janë që pas 5 vitesh SPAK të ketë dhënë prova që në Shqipëri ka rënë miti i pandëshkueshmërisë, dmth që zyrtarët e nivelit të lartë do merren në përgjegjësi penale, objektiv i arritshëm.

Kemi vështirësi shumë, shpresoj në rritjen e numrit të prokurorëve dhe hetuesve. Kemi shumë vështirësi në hetim. Nuk bëjmë gjëra të paimagjinueshme, bëjmë detyrën tonë.

Për SPAK nuk ka rëndësi emri, por provat. Ne si strukturë jemi të vëmendshëm ndaj publikimeve në media. Shumë media në shkurt të vitit të kaluar e deri para 10 muajsh nuk kanë lënë kritika për aferën "McGonigal". Kritikët duhet të ndihen të zhgënjyer sepse e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar.

Në fakt nuk bëjmë publik çdo gjë që bëjmë. Natyra e punës tonë kërkon që të jemi diskret.

Presionet politike nuk na bëjnë përshtypje. E kemi zgjedhur ta bëjmë këtë punë. Mua nuk më shqetëson fare.

Altin Dumani i përgjigjet kritikëve: Aferën