Opozita nuk ndalet/ Mbahet seanca, mungojnë deputetët "problematikë", por jo "rebelët": "Edhe Rama në burg si McGonigal"
Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare ku mes kaosit dhe bilbilave te opozites u votuan pikat e parashikuara në rendin e ditës si projektligji i ratifikimit të marrëveshjes së financimit me Francën për programin (lnterreg VI-B) Euro Mesdhe (EURO MED) 2021-2027.
Në kalendar ishte edhe ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën e Shqipërisë.
Po ashtu u votua Akti Normativ për shtesa dhe ndryshime në buxhetin e vitit 2023, për shtesa dhe ndryshime në ligjin e tatimit mbi të ardhurat.
Po ashtu, pritet shqyrtimi i Aktit Normativ për masa urgjente për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotur.
Kuvendi pritet të shqyrtojë dhe kalojë për votim dhe disa akte të tjera normative dhe projektligje.
Gazetari Isa Myzyraj teksa raportoi nga oborri i Kuvendit theksoi se ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shikojmë në seancat e tjera, këtë mëngjes situata duket e qetë, pasi deputetët e opozitës nuk kanë mbërritur më herët si zakonisht, por kanë pritur orarin zyrtar të nisjes së seancës.
Ndërkaq ai tha se deputetët “rebelë” Flamur Noka dhe Gazment Bardhi nuk do të jenë sot në Kuvend, për shkak të përjashtimit të tyre nga Komisioni i Etikës.
Nderkaq deputetët e opozitës kanë shkuar sot në Kuvend me pankarta me mesazhe kundër qeverisë.

“Na duhet qeveri, jo kartel”, “Vrasës i pluralizmit”, ‘Gjykatat e Shqipërisë, apo gjykatat e Ramës”, “Edhe Rama, në burg si Mcgonigal”, “Na ktheni atë që është e jona!“, janë disa nga mesazhet që kanë zgjedhur opozitarët sot, në kuadër të protestës së tyre që vijon prej disa kohësh.
Dhe pas 11 minutash do të përfundonte seanca plenare e cila që në fillim është karakterizuar nga protesta e opozitës, e reflektuar me bilbila dhe pankarta.
Deputetja Albana Vokshi ka tentuar t’i japë kryeministrit Edi Rama pankartën ku lexonte “vrasës i demokracisë”, por nuk është lejuar nga garda.
Opozita e ka bërë të qartë që nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protesta e tyre do të vijojë. Mbetet për të parë nëse do përdoren sërish flakadanë, ku me rregulloren e re dënimi është 60 ditë përjashtim nga Kuvendi.



