Kreu i SPAK, takim me studentë të Shkodrës, Dumani: Ruani integritetin, pavarësisht ndikimeve! Po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani zhvilloi këtë të enjte një takim me studentë të Universitetit të Shkodrës.

Gjatë fjalës së tij Dumani i këshilloi të rinjtë që të mos heqin dorë nga të qenit idealistë, dhe të përpiqen të ruajnë integriteti, pavarësisht ndikimeve.

Deklarata e Dumanit gjatë bashkëbisedimit me studentet

Mos hiqni dorë nga të qënit idealist, është e vështirë, por jo e pamundur. Përpiquni të ruani integritetin tuaj, pavarësisht ndikimeve.

Për të qenë pjesë e SPAK duhet të kesh demonstruar integritet në detyrat e mëparshme. Kemi problemet tona, por puna në këto vite ka treguar që SPAK është në gjendje të hetojë ndaj subjekteve të ndryshme.

Kemi dhënë shenja se jemi në gjendje të përballemi me grupe kriminale. Jemi çdo ditë në këtë luftë, është e vazhdueshme. Për të folur për suksese duhen pritur vendime të gjykatave. Çdo ditë hetojmë, marrim persona nën hetim.

Po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë, është e lodhshme, por jo e pamundur. Kemi ndryshuar filozofinë e kërkimit të provës, kemi investuar në teknologji.

Kemi përdorur në teknologji të ardhurat e sekuestruara nga krimi i organizuar. Për të qenë i suksesshëm duhet të kesh legjislacion të mirë dhe struktura të specializuar për luftën kundër korrupsionit.

Sa i takon pavarësisë së SPAK, ajo garantohet nga Kushtetuta. Kemi pavarësi totale nga pushtetet e tjera. Nuk kemi marrëdhënie varësie nga pushtetet e tjera. Në fund, gjithçka varet nga integriteti i secilit aktor.