Çollaku "sulmon" kolegët e opozitës: Bllokimi i diskutimeve në Kuvend, metodë që po i jep komoditet mazhorancës
Nënkryetari i PD-së zyrtare Kreshnik Çollaku në një deklaratë për mediat pas daljes nga Kuvendi, tha se anormaliteti i krijuar nga deputetët e Rithemelimit në seancën plenare po i shërben më shumë qeverisë e cila po kalon ligjet pa asnjë debat.
Ai tha se debati në seancën plenare është arma kryesore e opozitës dhe argumentoi se kjo mënyrë e bllokimit të seancave nuk po rezulton aspak efektive madje po jep efekt të kundërt.
“Edhe kjo e sotmja është seancë anormale. Një anormalitet i cili në thelb dëmton opozitarizmin dhe debatin parlamentar që është e vetmja armë që çdo opozita ka për të ushtruar funksionet e saj.
Siç e patë qeveria, në komoditet të plotë për interesin e saj kaloi për pak minuta 4-5 ligje shumë të rëndësishme, një prej tyre për Diasporën. Kjo situatë që për një periudhë kohe e mirëkuptuam për solidaritet opozitar.
Kjo nuk po rezulton efektive. Unë dua të inkuraoj ata zëra racionale nga krahu tjetër duke i bërë të kuptojnë se në këtë mënyrë bllokojnë vetëm opozitarizmin.
Siç e shihni mazhoranca nuk e ka fare problem dhe në papërgjegjshmëri të plotë i kalon ligjet pa u merakosur pa pasur debat. Kjo rrugë nuk po rezulton e suksesshme dhe po shkon në të kundërt duke i dhënë një komoditet mazhorancës”- tha Çollaku.

