Amnistia, Manja bën diversionin e radhës: Deputetët e opozitës nxitësit kryesorë, mos ta kushtëzojnë votën
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja gjatë një interviste televizive, u shpreh nisma për aministinë penale ka patur një nxitje të madhe nga deputetët e opozitës.
Sipas tij, votimi i amnistisë penale nuk duhet të kushtëzohet nga opozita në kuadër të axhendës së saj politike.
“Deputetë të opozitës kanë qenë, ndoshta nga nxitësit kryesorë që unë si ministër Drejtësie, të shpejtoj bërjen e ligjit të amnistisë. Unë them që do të bëhen votat për amnistinë penale, sepse di që ka shumë kolegë në radhët e opozitës, që e dinë rëndësinë e kësaj amnistie dhe impaktin që përcjell në zona, te qytetarë, te familjet e margjinalizuara”, tha Manja.
Ai shtoi se opozita s'mund të mbajë peng amnistinë për agjendë politike. “Unë mendoj që, padiskutim opozita ka agjendën e saj politike, por duhet t’i bashkohet mazhorancës në këtë nismë, ta votojmë ligjin e amnistisë dhe sigurisht pastaj, t’i vazhdojë agjendat e veta politike. Por kjo, unë mendoj që e nderon opozitën, vota për amnistinë. Nuk mundet, është gjëja më e pandershme të kondicionosh votën për një ligj amnistie, për një agjendë të caktuar politike, apo për emra të caktuar”, shtoi Manja.
“Diskutimi i këtij projektligji ka filluar në Komisionin e Sigurisë, ka kaluar në parim, pastaj do të jetë në Komisionin e Ligjeve. Opozita ka çfarë kërkon në këtë ligj, mund të gjenden pikat e dakordësisë për këtë ligj amnistie, por nuk duhet ta kondicionojë dhe ta personalizojë për emra konkretë, apo për vepra penale konkrete”, theksoi ai.
PD dërgoi në Kuvend një amendament, ku kërkon që çdo person që është dënuar me 2 vjet burg nga shkalla e parë dhe nuk është dhëmë ende një vendim nga apeli, të falet. Lidhur me këtë, Manja tha se amnistia penale nuk bëhet për emra të posaccëm.
“Nga kjo amnisti nëse do të marrë votën e 84 deputetëve përfitojnë afërsisht 700 të dënuar që sot janë në institucionet tona dhe rreth 2 mijë e 72 të dënuar me shërbim prove. Amnistitë nuk marrin në konsideratë emra të përveçëm, pavarësisht se çfarë funksioni apo detyre mbajnë”, theskoi ai.
“Ne kemi një qendrim të qartë, i kemi përjashtuar nga amnistia të gjithë personat e dënuar apo që heton dhe gjykohen për krime kundër drejtësisë. Është qendrim ky dhe këtu nuk merren në konsideratë emra. Ne kemi thënë që kush është dënuar për një krim kundër drejtësisë, nuk përfiton nga amnistia. Këtë të drejtë nuk ua kemi dhënë as burrave, as grave, as të miturve, thjesht i kemi futur si kategori përfituese. Nuk dua të ndalojë në emra konkretë”, u shpreh ndër të nënvizoi Manja.
Ministri i Drejtësisë tha se data kur mund të hidhet për votimi pr/ligji i amnistisë është data 8 shkurt.
“Pa diskutim ne nuk jemi të ngurtë ndaj propozimeve të opozitës, por çdo propozim i opozitës në raport me këtë ligj amnistie sigurisht do të marrë në konsideratë këtë qasje. Ne jemi të hapur për propozime. Ne nuk kemi thënë që do të hedhim propozimet që do të bëjnë kolegët e opozitës në komisionet e parlamentit, por fryma me të cilat do t’i marrim këto propozime që ka dhe që jam dakord me Tonin. Ne jemi të hapur. Ne si maxhorancë nuk bëjmë ligje me porosi”, tha Manja.
“Sapo të mbarojë diskutimi në komisione, do ta hedhim në votim. Seanca e radhës është nesër, pastaj ka dhe një në 8 shkurt. Nuk besoj pse mos të jetë në rendin e ditës nga deputetët e parlamentit, gjithsesi kjo është në bazë në agjendës. Të mos jap një datë, por shpresoj deri më 8 shkurt”, shtoi ai.



