Noka: Parlamenti real i shqiptarëve sot është tek "Rruga e Shpresës"! Çështja e bashkimit, është çështje e mbyllur

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, deklaroi sot se çështja e bashkimit të Grupit parlamentar të PD është tashmë e zgjidhur dhe nuk diskutohet më.

Ai theksoi po ashtu se shqiptarët sot kanë një parlament të vërtetë dhe ai është tek Rruga e Shpresës. Në përfundim të mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, Noka iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve:

“Çështja e bashkimit, e Grupit, është çështje e mbyllur. Nuk diskutohet më kjo si çështje. Ne po përvijojmë fazën e fundit që do të jetë fuzioni i plotë në parti dhe në çdo hierarki të saj, të Grupit, siç e parashikon edhe statusi.

Aksioni ka nisur në bazë, sepse shqiptarët sot kanë një parlament real dhe ky parlament real është tek  Rruga e Shpresës, sepse ai që quhet parlament zyrtar është parlament i krimit dhe i narkoregjimit, nuk është parlamenti i qytetarëve."- tha Noka.

Flamur Noka nga Kryesia e Kuvendit deklaroi se Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi me shallin e pionierit të Enverit, tregoi se ata janë thjeshtë vegla të partisë, të regjimit të Edi Ramës.

DEKLARATA

"Me shallin e pionierit të Enverit, kryetari i Gjykatës së Lartë, përveç Skapit të partisë, këta nuk kanë as turp që të fshihen dhe maskohen, por tashmë dalin ashiqare se janë thjeshtë vegla të partisë të regjimit.

Siç e dimë ka një vendim të KLGJ-së që miraton kodin e etikës të firmosur nga Naureda Llagami si kryetare dhe pika 6/b në kapitullin e dytë citohet në ligjëratë të drejtë; që gjyqtari duhet të shmangë sjelljeve që krijojnë përshtypje se është i angazhuar politikisht.

Drejtësia e Edi Ramës, në dy raste, por ky është rast flagrant, po e reklamojnë si vlerë të shtuar të tyre, angazhimin politik në bandën e rilindjes. Kush ka pasur dyshime, tashmë nuk ka.

Ky është pushteti, ky është regjimi dhe drejtësia e re është thjeshtë vegël në duart e regjimit".

Pyetje: A ka mekanizma ligjorë që ju do t'i drejtoheni KLGJ-së, për nisje të hetimit disiplinor për kryetarin e Gjykatës së Lartë?

Flamur Noka: Në bazë të Kodit të Etikës, të miratuar nga KLGJ-ja, automatikisht zonja kryetare dhe anëtarët që kanë firmosur këtë, duhet që me iniciativë të hetojnë dhe të marrin masa. Në emër të PD, unë nuk pres që të bëjnë një gjë të tillë sepse të tërë janë trupë politike. Disa venë shallin dhe disa jo, e shfaqin zell më shumë se sa shalli.