Rama takim në rektoratin e UNED në Madrid: Kampusi i Gjirokastrës i bashkohet këtë vit sistemit europian

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Madrid, një takim me rektoratin e Universitetit Kombëtar të Edukimit në Distancë, UNED.

Kryeministri Rama i shoqëruar nga një delegacion zyrtar në përbërje të së cilit janë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro si dhe kryetarë të disa bashkive në vend ndodhen në Spanjë në kuadër të pjesëmarrjes së Shqipërisë në panairin e madh global të turizmit “FITUR Madrid”.

Kryeministri e nisi ditën sot me një mëngjes pune në rektoratin e UNED, me të cilin po punohet për kampusin e Gjirokastrës.

Rama theksoi se kampusi i Gjirokastrës këtë vit do t’i bashkohet sistemit europian të UNED-it duke u dhënë studentëve shqiptarë mundësinë e programeve dhe diplomave të UNED, pa lëvizur nga Shqipëria.

Shqipëria do të prezantojë potencialet e saj turistike përmes një agjende të nivelit të lartë nën organizimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Panairin Ndërkombëtar “Fitur” në Madrid,  i cili mbahet nga 24 deri në 28 janar.