Rrafshoi hotelin “Bizant” në Sarandë, Sotir Çabiri merret i pandehur për dy akuza nga prokuroria
Sotir Çabiri, njeriu që dyshohet se shkatërroi me eksploziv një hotel në Sarandë dhe dhjetëra biznese në zonën pranë tij, është marrë i pandehur nga prokuroria për akuzën e “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Mbajtjes pa lejë të sasive të mëdha shpërthyese”.
Sipas dosjes hetimore, dyshohet se Çabiri vendosi një sasi të madhe tritoli në ambientet e brendshme të hotel “Bizant”, duke sjellë një shpërthim të fuqishëm që shkatërroi plotësisht hotelin.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Çabiri fillimisht është larguar me vrap dhe më pas ka hipur në një automjet duke u larguar nga vendi i krimit.
Shkak i shkatërrimit të hotelit që ndodhet në bregun e detin Jon në Sarandë, është bërë një konflikt gjyqësor me shtetasin grek, Dhimitraq Evangjeliu, i cili kishte një pjesë të pasurisë.
Në vendimin civil të gjykatës Sarandë, thuhet se: “…hoteli Bar-Restorant dykatësh, i kalon në pronësi hipotekore Evangjeliut, me kushtin që ky i fundit ti paguante Sotir Çabirit, një shumë prej 46 mijë euro…”.
Në lidhje me marrëdhëniet e familjes së tij me dy bashkëpronarët e tjerë Vangjel Shtuka dhe Dhimitër Evangjeliu, Çabiri ka pohuar se se nuk ka pasur asnjëherë konflikt me këta shtetas.
Por pamjet filmike tregojnë se Sotir Çabiri, është autor i këtij krimi të rëndë, që veç shkatërrimit të hotelit “Bizant” solli dëmtime të tjera dhe tek banesat apo bizneset e tjera.
Sipas prokurorisë në orën 05:50 ka dalë nga ambientet e hotel “Bizant”, Sotir Çabiri, duke u larguar me vrap, ndërsa në 05:52 ai ka aktivizuar shpërthimin.
Pas kryerjes së këtij krimi, e gjithë familja Çabiri kishte planifikuar të largohej në Angli, pasi sipas policisë ditën e dielë ata kishin prerë biletat e udhëtimit tek një agjenci në Sarandë.
