Roma dhe Atalanta ndalen në barazim, Mourinho ndëshkohet me karton të kuq

Është mbyllur dhe sfida e fundit për javën e 19-të në Serie A mbrëmjen e djeshme. Roma dhe Atalanta u përballën në Olimpico në një takim mjaft të lufutar deri në fund. Por ndeshja nuk pa fitues, me skuadrat që u ndalën në një barazim 1-1.

Të dyja golat e mbrëmjes u shënuan në pjesën e parë të takimit. Ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh që në minutën e 8′ me Koopmeiners.

Nuk vonoi dhe kundërpërgjigja e verdhekuqve. Në të 39-ën Paolo Dybala barazoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë. Në fund të pjesës së parë, pas protestave trajneri i Romës, Jose Mourinho u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari.

Edhe pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar. Teknikët bënë disa ndërrime, por pa mundur të ndryshojnë rezultatin. Në fund të lojës, sërish protagonist u bë Jose Mourinho. Portugezi u kap sërish me arbitrin dhe kësaj here mori karton të kuq.

Me këtë rezultat, situata është shumë e ngjeshur në klasfikim sa i përket betejës për zonën europiane. Roma renditet e teta me 29 pikë, por ka 1 më pak se Atalanta e vendit të gjashtë dhe 3 më pak se Bologna e vendit të pestë.