Goli i Asanit e shkarkoi nga detyra, Fernando Santos rikthehet në pankinë tek klubi turk
Trajneri Fernando Santos është zyrtarizuar ditën e sotme si “timonieri” i ri i skuadrës së Besiktas në kampionatin turk. Portugezi pati një aventurë të hidhur së fundmi nën drejtimin e kombëtares polake, ku humbja me Shqipërinë në “Air Albania” detyroi federatën që ta shkarkojë atë.
Kjo do të jetë detyra e tij e parë në një klub futbolli pas 14 vjetësh. Më përpara ai ka drejtuar kombëtaren e Greqisë dhe Portugalinë, ku fitoi edhe Kampionatin Evropian në vitin 2016.
Lajmin për drejtimin e Besiktas e bëri zyrtar vetë klubi turk. Besiktas po kalon një moment jo të mirë, pasi renditet në vendin e gjashtë, 18 pikë larg kreut të renditjes. Sakaq, skuadra u eleminua edhe nga Conference League që në fazën e grupeve.
Detyra e Santos do të jetë e vështirë, pasi duhet të ngrejë ekipin në majën e futbollit turk, aty ku ndodhet për momentin Galatasaray dhe Fenerbahche.

