Milani fiton pastër ndaj Empolit, Traore gjen golin e parë në Serie A

Milani kalon pengesën Empoli dhe shkon momentalisht -4 pikë nga Juventusi, që luan në “Arechi” përballë Salernitanës (18:00)

0-3 fituan kuqezinjtë në transfertën toskane.

Ardian Ismajli u aktivizua si titullar për Empolin, ndërkohë që Etrit Berisha dhe Stiven Shpendi qëndruan gjatë gjithë takimit në pankinë.

Ruben Loftus-Cheek zhbllokoi rezultatin në minutën e 11’ pas asistit të Rafael Leaos.

Goli i dytë erdhi me penallti pas ndërhyrjes së VAR-it (prekje me dorë e Youssef Maleh).

Oliver Giroud (31’) u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke realizuar golin e qetësisë.

Skuadra e Stefano Piolit kompletoi suksesin me “tris” dy minuta përpara fundit.

Asist i Cristian Pulisic dhe gol i Chaka Traore, i pari në Serie A për sulmuesin nga Bregu i Fildishtë.

19-vjeçari po përjeton një moment magjik, teksa shënoi golin e parë me Milanin në fitoren 4-1 përballë Cagliarit në Kupën e Italisë.

Milani forcon kështu pozitat në vendin e tretë dhe shpreson që Juventusi të gabojë në transfertë. Ndërkohë, Empoli mbetet në vendin e parafundit me 12 pikë.