Vula dhe logo e PD-së pa zot, Qori: Një vendim qoftë edhe i keq, ndonjëherë është më i mirë se mungesa e vendimit
Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori i ftuar në emisionin ‘’Ora e Betit’’ në Ora News ku u diskutua për vulën dhe logon e PD-së, cështje të cilën Gjykata e Lartë e ktheu sot për rishqyrtim në Apel, u shpreh se një vendim qoftë edhe I keq, ndonjëherë është më I mirë se mungesa e vendimit.
Qori: Shqipëria është një vend me shumë padrejtësi. Nga padrejtësi sociale, ekonomike deri tek padrejtësitë në kuptimin më të ngushta të sistemit gjyqësor.
Unë nuk e njoh mjaftueshëm dhe me të thënë të drejtën as nuk më ka interesuar ndonjëherë mjaftueshëm që të hyj në këto argumentet juridike se cila palë në PD ka të drejtë.
Por nga ana tjetër, unë nuk dua të përfitoj nga situate. Ka njerëz që thonë në Shqipëri sa mirë kjo parti po degradon dhe kështu përfitojmë ne.
Unë do doja që në zgjedhjet e ardhshme si Basha ashtu edhe Berisha të kishin nga një sigël edhe të konkuronin në mënyrë të barabartë më të gjithë të tjerët.
Në këtë sens unë si përfaqësues i lëvizjes Bashkë nuk dua favore, nuk dua që askush të përjashtohet në asnjë rrethanë. Një vendim qoftë edhe i keq, ndonjëherë është më i mirë se mungesa e vendimit.
Sepse me këtë shtyje ta shtyjmë, deri dy javë para zgjedhjeve mua nuk më duket si një gjë e mirë për konkurueshmërinë politike.
