Balla: Miratuam dietat e 2023-shit për të gjithë punonjësit e Policisë, 1-2 rroga shtesë zjarrfikësve

Qeveria do t’i paguajë çdo punonjësi të Policisë së Shtetit të paktën 118 000 lekë të reja për të përballuar koston e dietave, të cilat nuk ishin paguar deri më tani për vitin 2023.

Ndërkohë, po ashtu qeveria do t’i paguajë një rrogë shtesë shpërblim të gjithë zjarrfikësve, ndërsa dy rroga shpërblim atyre zjarrfikësve të cilët ndihmuan në përballjen me zjarret në Greqi.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, njoftoi sot në mesditë vendimin e qeverisë, që i hap rrugë pagesës së kostos së prapambetur të dietave të punonjësve të Policisë së Shtetit.

“Qeveria shqiptare sapo ka miratuar vendimin për të shlyer një detyrim prej shumë kohësh ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, që lidhet me pagesën e ushqimit për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, përgjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës së tij”, tha Balla.

“Bëhet fjalë për gjatë orarit të punës dhe po ashtu për gjatë gjithë kohës, kur bëhet fjalë në angazhimin e punonjësve të policisë së shtetit, në misione, operacione, apo dhe në përballimin e situatave të emergjencave civile.

Këtu dua të sqaroj se në rastin e 22 ditë pune në muaj, apo 264 ditë në vit, çdo punonjës i Policisë së Shetit do marri pagesë për një vakt ushqimor. Shkon 22 ditë pune, në 12 muaj, 264 pagesa, shumëzuar 450 lekë, për vitin 2023 çdo punonjës do të marri 118 000 lekë të reja, që ishte detyrimi për vitin 2023.

Është shpërblimi më i madh që mund të ketë marrë ndonjëherë një punonjës i Policisë së Shtetit”, shtoi Balla.

“Dhe gjithashtu dua t’ju informoj se në rastet e angazhimit në operacione, pagesa ndryshon, është më e lartë se kjo. Lajmi i mirë tjetër që dua të ndaj me ju, është mirënjohja që qeveria u jep të gjithë zjarrfikësve, në të gjithë territorin.

Sapo miratuam një shpërblim për punonjësit zjarrfikës, të angazhuar të një situate të vështirë të kaluar gjatë kësaj vere, i falënderoj në emër të qeverisë dhe kryeministrit”, vijoi Balla.

“Dhe qeveria do t’i transferojë menjëherë të gjitha bashkive të vendit fondin në mënyrë që para natës së vitit të ri të gjithë punonjësit zjarrfikës të marrin shpërblimin e një page mujore. Këtu dua të nënvizoi se të gjithë zjarrfikësit shqiptarë të angazhuar në misionin për ti ardhur në ndihmë shtetit dhe popullit grekë gjatë përballjes me zjarret, për ta shpërblimi do të jetë 2 paga mujore”, nënvizoi Balla.

I pyetur sa është numri  i përfituesve, Balla u përgjigj se të gjithë punonjësit e Policisë përfitojnë, 9964 punonjës.

“Këtu dua të sqaroj se përse po bëhet tani. Kryeministri e sqaroi vetë që kemi dashur ta bëjmë me herët, por tanimë për shkak të rritjes së të ardhurave, të forcimit të ekonomisë, dhe është një fakt që duhet të jemi të gjithë krenar.

Leku është forcuar pasi është forcuar ekonomia, e vërteta është se në këto kushte të reja të përmirësimit të treguesve makroekonomikë dhe rritjes së të ardhurave të qeverisë, kemi mundësi që ky shpërblim këtë vit, në vitin 2024 kjo do të jetë një politikë, pra s’do të presim fundin e vitit për të parë se si jemi më të ardhurat për ta zbatuar këtë politikë”, tha Balla.

“Përveç kësaj, pra pjesës së pagesës së ushqimit që do t’u transferohet në llogarinë e tyre bankare, ne po përmbyllim brenda kësaj jave, ose maksimumi brenda tjetrës, dhe një marrëveshje me rrjetet e supermarketeve të dyqaneve që shesin mallrat bazë ushqimore, në mënyrë që punonjësit e Policisë së Shtetit, tek ky fond të kenë përfitime dhe për sa i përket njëlloj lehtësimi të çmimeve, ku do të blejnë me këtë kartë banke.

Me një rrjet supermarketesh, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje ku çdo punonjës policie të ketë ulje 10%-15% apo 20% ulje, kjo është negociatë për të arritur që Punonjësit e Policisë së Shtetit të kenë trajtim preferencial për këtë pagesë që po marrin sot nga qeveria”, u shpreh Balla.