Projekti i paneleve diellore për ngrohjen e ujit i suksesshëm, Qeveria: Rihapim aplikimet për 2 mijë të tjera
Zëvendëskryeministrja njëherësh dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se së shpejti do të rihapen aplikimet për paketën e dytë prej 2 mijë panelesh diellore për ngrohjen e ujit, kosto e cila do të subvencionohet në masën 70 % nga qeveria.
Balluku u shpreh se thirrja e parë, e cila nisi në nëntor të vitit të shkuar ka rezultuar e suksesshme.
Sipas Ballukut, nga mbi 4 mijë aplikime u kualifikuan 2 mijë dhe deri tani janë instaluar 1987 njësi.
“Kur njerëzit janë dëshmitarë dhe pjesë e suksesit. Panelet diellore për ngrohjen e ujit, të subvencionuara në masën 70 % nga qeveria, treguan qartë efektet tek reduktimi i faturës. Zëri i vetë qytetarëve e dëshmon më së miri këtë. Së shpejti do të rihapen aplikimet për paketën e dytë, 2000 panele”, tha Balluku.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ishte ndërtesa e parë publike që u përfshi në programin e eficiencës së energjisë.
“U bë një punë e mirë për izolimin e saj dhe vendosjen e paneleve diellore që shërbejnë për autoprodhimin e energjisë të cilën e përdorim gjatë gjithë ditës. Nën shembullin tonë ky program vazhdoi në shkolla, spitale e konvikte. Ky program konsiderohet mjaft i suksesshëm. Por eficenca e energjisë nuk duhet përdorur vetëm nga shteti. Pa dyshim është një çelës suksesi për të gjithë ne.
Në përputhje me Strategjinë Kombëtarë të Energjisë dhe Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, qeveria vendosi zbatimin e një skema nxitëse për reduktimin e konsumit të energjisë elektrike për abonentët familjarë.
Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga konsumatorët familjarë ofron subvencionimin deri në masën 70% të kostos nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë.
Kjo masë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të ngrohtë si dhe reduktimin e emetimeve të CO2.
Krahas kësaj qeveria vendosi edhe mbajtjen të pandryshuar të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët dhe biznesin familjarë.


