Manastirliu për skemën e mësuesve, programi i MAS: 82 mësues do të trajnohen në disa lëndë

Ministria e Arsimit dhe Sportit do të pilotojë programin e skemës së mësuesit në dispozicion, me qëllim që shkollat në Shqipëri të mos kenë orë mësimore pa mësues.

82 mësues në 30 shkolla në të gjithë vendin do të trajnohen në disa lëndë ndërsa në raste kur nuk ka orë të lira për zëvendësim, ata do të ofrojnë orë përforcimi për nxënësit me arritje të ulëta.

Me qëllim që në shkolla të mos ketë orë mësimore pa mësues, Ministria e Arsimit dhe Sportit do të nisë programin pilot që do të mundësojë mësues në dispozicion.

Programi u prezantua nga vetë Ministrja Ogerta Manastirliu, e cila u shpreh se 82 arsimtarë, të caktuar në 30 shkolla në të gjithë vendin do të trajnohen për të zëvëndësuar mësuesit që mungojnë për arsye shëndetësore ose me leje administrative.

“Ne këtë program e kemi hartuar për të mundësuar një prej atyre instrumentave të ri që i duhet sistemin arsimor parauniversitar, për të krijuar bazën e mësuesve të dispozicionit, të cilët do të angazhohen në këtë program pilot, për të mundësuar që nxënësve me arritje të ulta të mundemi t’ju japim përforcimin e nevojshëm në lëndë të përcaktuara, në mënyrë që edhe ata të ecin si të gjithë shokët, duke rritur nivelin e tyre të arritjeve”.

Ky program do të nisë janarin e vitit të ardhshëm. Gjithashtu në raste kur nuk ka orë të lira për zëvendësim, ata do të ofrojnë orë përforcimi për nxënësit me arritje të ulëta.

“Është një program i ri prandaj ne duam ta pilotojmë të shohim se sa rezultate do na japë dhe padyshim në momentin që do të kemi finalizuar këtë fazë të parë deri në fund të këtij viti shkollor, ne do të kemi vlerësuar dhe shtrirjen e tij në shkolla të tjera”, tha Manastirliu.

Sipas, Manastirliut do të jenë drejtorët e shkollave parauniversitare ata që do të identifikojnë grupet e nxënësve me nevojë për përforcim dhe do të hartojnë orarin e orëve të përforcimit.

“Jam e bindur që mësuesit do të angazhohen në këtë program të ri të ngritur nga MAS dhe do të jenë pjesë integrale e shkollës për të krijuar grupet e nxënësve dhe nga ana tjetër për të ndjekur në dinamikë ecurinë e tyre në mënyrë që ne të përforcojmë dhe të mundemi të rrisim nivelin e njohurive të nxënësve”, tha Manastirliu.

Në mbyllje të fjalës së saj, Ministrja e Arsimit u shpreh se programi synon të rrisë nivelin e njohurive të nxënësve që paraqesin vështirësi në shkollë.