Denaj me agropërpunues: Ndikimi në ekonomi pritet të shkojë 20%, shkak turizmi
Ndikimi i agropërpunimit në ekonominë shqiptare është në rritje dhe parashikohet të arrijë deri në 20 %. Këtë e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, gjatë një tryeze diskutimi me sipërmarrës në fushën e bujqësisë dhe agropërpunimit.
Gjatë fjalës së saj, Denaj tha se institucionet lokale dhe qendrore janë të hapura për bashkëpunim dhe bashkëbisedim me sipërmarrësit e fushës së bujqësisë në kuadër të objektivit madhor të integrimit në BE. Ajo prezantoi përpara tyre edhe katër shtyllat kryesore të mbështetjes.
“Bashkëpunimi me sipërmarrës të fushës së bujqësisë, duhet të jetë përtej kësaj tryeze të parë, në përditshmëri, së bashku me problematikat dhe objektivat që kemi”, tha Denaj në nisje të fjalës së saj.
“Ne vijmë nga një proces screening shumë i rëndësishëm. Kemi kapituj brenda kapitujve të sigurisë ushqimore, që janë hapur dhe janë drejtuar me sukses. Ne kemi një listë ambicioze të këtyre ligjeve që duhen adresuar dhe njehsuar me ligjet e BE. Nëse ne nuk bashkërendojmë këtë veprimtari me të gjithë aktorët, ky proces do të ishte edhe më i vështirë”, tha ministrja e Bujqësisë.
“Së pari, objektiv i 2024 është vijimi i përafrimit të ligjeve që lidhen me sigurinë ushqimore me integrimin në BE, dhe bashkëpunimi me ju është i rëndësishëm”, tha Denaj.
“Së dyti, është bashkimi i operatorëve, ku secili nga ju është një qendër e bërthamës së zinxhirit të vlerës. Objektivi është për më shumë operacione të ndërlidhura, diplomacia ekonomike, pjesëmarrje në panaire, mbështetja me skema kombëtare të fermerëve, ndërlidhjes që ju keni, në zonat që prodhojnë në mënyrë të drejt për drejt për ju dhe së fundmi, me atë që është ndërlidhja me strukturat jo vetëm lokale, por dhe ndërkombëtare, përfshi diplomacinë ekonomike dhe diasporën”, tha më tej Denaj.
“Objektiv madhor është garantimi i një ushqimi të qëndrueshëm, jo vetëm për AKU, që është institucioni përgjegjës, por për të gjitha institucionet, në veçanti për institucionet që sigurojnë cilësinë e farave, fidanëve dhe certifikimin e produkteve, që janë të domosdoshme për ta ndërlidhur pjesën e certifikimit të tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë me ju, që edhe pjesa e AKU të jetë më e lehtë në raport me ju dhe në raport me inspektimet”, tha Denaj.
Ajo nënvizoi se “një ushqim më i sigurtë na ndihmon jo vetëm në shëndetin tonë, por na rrit vlerën në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. 11.8 % është rritja këtë vit, kontribut i drejtpërdrejtë i agropërpunimit. Kjo do të shkojë në rritje me 20 % sipas parashikimeve. Konsumi i brendshëm i shtyrë nga turizmi, i cili po shton nevojën për të rritur këtë zhvillim. Siguria ushqimore, certifikimi do të kërkohen më shumë në vijim. Bazën e kemi, institucionet janë”, përfundoi Denaj fjalën e saj.


