Timothy Garton Ash bisedë me Ramën: Gazetari dhe historiani janë në kërkim të së vërtetës. Brexit, disfatë politike! Ja gabimi i Tony Blair

Historiani, autori dhe gazetari i famshëm britanik, Timothy Garton Ash ishte sot i ftuari i radhës në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.

Në bashkëbisedim me kryeministrin Rama, Timothy Garton Ash e cilësoi avantazh të madh faktin e të qenit gazetar dhe historian në të njëjtën kohë pasi sipas tij, “të dy, në thelb, janë në kërkim të së vërtetës”.

“Detyra e të dyve është të qëmtojnë të vërtetën dhe këtë e bëjmë në mënyrë paksa të ndryshme. Kundërshtia vjen kur fillon të mendosh – unë e quaj ‘riti i Kisingerit’ – kur e mendon veten si vendimmarrës dhe  gati përpiqesh të jesh një qeveri dhe të bësh politikën e qeverisë, në vend që të bësh atë që është puna jonë, përpjekjen për të kërkuar të vërtetën dhe për ta thënë atë siç është, duke i thënë pushtetit të vërtetën. Pra, këtë kam menduar që kam bërë, gjithmonë”, u shpreh ai.

Historiani britanik e cilësoi Brexit si disfatën më të madhe politike të jetës.

“E gjithë jeta ime është sjellë rreth Europës, unë jam një europian anglez, kështu që shkëputja e Britanisë nga Europa është tragjedi për Britaninë, por mendoj edhe për Bashkimin Europian dhe të ardhmen e Europës. Megjithatë, nuk mendoj se Brexit-i e ka prerë atë lisin e britanizmit që përshkruat. Mendoj që vazhdon të jetë aty”, shtoi ai.

Sipas tij, gabimi që bëri Tony Blair ishte të besonte se ishte e mundur që të kishte vetëm hapje, hapje, hapje.

Timothy Garton Ash bisedë me Ramën: Gazetari dhe historiani janë

“Hapje të shoqërisë, hapje të financave, hapje të ekonomisë, hapje të emigracionit pa pasur asnjë reagim! Sepse në fakt pati një reagim. Dhe slogani i përkrahësve të Brexit-it, që iu dha fitoren ishte ‘Rimerr kontrollin’. Ajo çfarë ndodh tani në Gjermani është që udhëheqësit gjermanë po flasin për “kontrolverlust” (humbjen e kontrollit). Pra, mendoj se të gjitha shoqëritë tona kanë nevojë për atë ndjesinë që gjërat janë nën kontroll, që imigracioni po menaxhohet. Pra, mendoj se ky ishte një gabim i viteve të Blair-it, që e paguam shtrenjtë. Por fakti që tani po përpiqemi ta vëmë nën kontroll, si të gjitha vendet e tjera europiane, nuk do të thotë se është fundi i larmisë sonë kulturore, është përtej saj”, tha ai.

Duke folur për të ardhmen e BE-së, historiani britanik u shpreh: “Po të mobilizohej një brez i ri europianësh, jo vetëm për të mbrojtur atë çfarë kemi arritur, që është Europa më e mirë që kemi pasur, por edhe për ta zgjeruar dhe përmirësuar atë, çka është plotësisht e mundur, pas 10 vjetësh, do të mund të shohim pas dhe të kemi një Union prej 35 shtetesh dhe do t’ia kemi arritur të mbrojmë atë që kemi, mënyrën e lirë të jetesës në Europë. Është e mundur, por është në dorën tonë”.

Kjo, sipas tij, “duhet të ndodhë pa asnjë vend të vetëm si hegjemonist”.