Braimllari: Mungesë transparence për fondin e dedikuar për arsimin

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari tha sot në deklaratë për mediet se kjo parti ka ridërguar kërkesë për informacion në bashkinë e Tiranës në lidhje me heqjen në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak nga fondi i dedikuar për arsimin të 4.3 milionë eurove dhe transferimin e tyre për inceneratorin e Tiranës, që siç u shpreh Braimllari, nuk ekziston.

Konkretisht, tha ai, “kërkojmë informacion se cilët zëra, kategori ekonomike dhe funksione të shpenzimeve buxhetore janë shkurtuar apo transferuar në këto fonde” .

Braimllari tha se ridërgimi i kërkesës për informacion ndaj bashkisë së Tiranës vjen pasi për të disatën herë janë përballur me mungesë informacioni dhe transparence nga ana e Erion Veliajt.

“Partia e Lirisë i ka kërkuar Erion Velisë informacion të detajuar sesa ton mbetje janë depozituar për çdo vit kalendarik që nga nisja e kësaj kontrate midis Bashkisë së Tiranës dhe inceneratorit. Informacion të detajuar mbi pagesat e kryera çdo muaj, nga pagesa e parë deri në momentin e kthimit të përgjigjes. Gjithashtu, kemi kërkuar një kopje të marrëveshjes midis Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë të inceneratorit. Një kopje e vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës për miratimin e kësaj marrëveshjeje financiare mes palëve. Relacionet përkatëse nga komisionet përgjegjëse pranë këshillit bashkiak”, tha ai.

Sipas tij, kjo kërkesë është dërguar muaj më parë nga deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi dhe ende nuk ka përgjigje.

“Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies nga ana e Erion Velisë tregon qartë përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë, frikën dhe panikun nga firmat e tij, që janë hedhur në kundërshtim me ligjin”, theksoi Braimllari.