Balluku vizitë në Cërrik: Viti 2024 i dedikuar tek arsimi profesional
Zëvëndës kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte ditën e sotme në një vizitë në shkollën e mesme Bujqësore në Cërrik. E shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, zv.kryeministrja inspektoi këtë shkollë e cila së shpejti do të kthehet në një shkollë rajonale.
Balluku theksoi në takim se buxheti i vitit 2024 do të jetë gjithashtu i foksuar tek arsimi profesional dhe për këtë është nisur një punë prej më shumë se 6-muajsh.
Belinda Balluku: Kjo është një nga shkollat e mesme profesionale, që do të thoja model për sa i përket shërbimeve bujqësore. Një shkollë që është ngritur në vitin 68′, që është rikonstruktuar nga qeveria shqiptare në vitin 2019. Por ne kemi vendosur të vijmë këtu duke qenë se viti 2024 do të jetë një vit i dedikuar me fokus tek arsimi profesional. Kemi nisur një punë prej më shumë se 6-muajsh. Zëvëndës ministrja Manjani është personi që po udhëheq këtë grup pune dhe në ndërkohë që ta nisim nga bujqësia.
Nga ana tjetër buxheti i vitit të ardhshëm parashikon dhe fonde për rikonstruksionin e konviktit të kësaj shkolle. Zv.kryeministrja shpreson që kjo shkollë të mirëpres nxënës nga e gjithë zona juglindore e Shqipërisë, zonë e cila ka fuqinë më të madhe prodhuese në bujqësi.
Belinda Balluku: Synimi ynë është që kjo shkollë edhe me buxhetin e ri të 2024 ku është parashikuar rikonstruksioni i pjesës së konviktit dhe gjithçka që do të duhet përreth territorit të shkollës ne e kemi buxhetuar tashmë. Tani shpresojmë që vitin tjetër në shtator ju të keni nxënës siç i keni pasur edhe dikur nga e gjithë zona juglindore e Shqipërisë, që është zona me fuqinë më të madhe prodhuese të bujqësisë.
Balluku e mbyll duke thënë se të gjitha profesionet janë të rëndësishme, por bujqësia është në krye të listës, prandaj do të ketë mbështetje maksimale të qeverisë për sa i përket laboratorëve.
Belinda Balluku: Ministria e Ekonomisë dhe Financave do të ketë një fokus të përqëndruar te arsimi profesional dhe sigurisht të gjitha shkollat profesionale janë të rëndësishme, ato që prodhojnë hidraulikët, elektriçistët, sepse gjejmë gjithmonë e më pak në treg. Por nga ana tjetër, bujqësia qendron në krye të listës. Ju do të keni mbështetjen tonë maksimale përsa i përket laboratorëve.


