Policia e Shtetit hap aplikimet për 300 vende për “Patrullë të Përgjithshme”
Policia e Shtetit hapi aplikimet për 300 vende në shkollën bazë të policisë, për “patrullë të përgjithshme”. Aplikimet do të jenë të hapura deri më datën 30 nëntor 2023.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit bëhet me dije se kuotat e pranimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, janë 300, të ndara sipas nevojave organike të drejtorive vendore të Policisë.
Në përfundim të të gjitha fazave të konkurrimit, 300 aplikantët që do të rezultojnë fitues në listën e qarkut ku kanë aplikuar, bazuar në kuotat e vendosura për çdo qark, do të ndjekin studimet për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë”.
Policia e Shtetit sqaroi gjithashtu se aplikantët e shpallur fitues në muajin qershor të vitit 2023, të cilët janë në listë pritjeje, nuk duhet të konkurrojnë, pasi ata do të vazhdojnë procesin e shkollimit, në fillim të vitit 2024.
Aplikantët duhet t’i nënshtrohen disa fazave për kualifikim në procesin e konkurrimit.
Policia e Shtetit theksoi se është e interesuar që të ketë sa më shumë aplikime dhe në këtë kuadër fton të gjithë të rinjtë dhe të rejat, që të aplikojnë, duke iu garantuar një proces konkurrimi transparent dhe të paanshëm, sipas parimeve të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritokracisë.

