Kanabisi në parcelën me misër, 3 persona të arrestuar, pezullohen edhe 3 policë

Në Bishan të Vlorës për të fshehur bimët e kanabisit i kishin kultivuar në parcelën me misër. Madje edhe parcela ku u zbuluan 4930 rrënjë ishte e marrë me qira.

Në aksionin e zhvilluar të mërkurën kanë marrë pjesë forca të shumta të policisë, ku veç bimëve që kanë qenë të mbjella, u zbuluan dhe 198 kilogram kanabis që ishte në proces tharje.

Për këtë autorët e dyshuar kishin krijuar ambientin e duhur në një magazinë e cila ishte në afërsi të parcelës. Gjatë kontrollit aty u zbuluan dhe dy kallashnikov si dhe një armë gjahu

Janë 3 persona që janë arrestuar. S. LLanaj 40 vjeç është konstatuar si pronari i objektit ku po thahej kanabis e së bashku me të është ndaluar dhe djali i tij D. Llanaj 18 vjeç. Në pranga është vënë dhe pronari I tokës D.M 69 vjeçar.

Nën hetim  për shpërdorim detyre është dhe kryetari i fshatit B. Hoxhaj 61 vjeçar. Ndërsa tre efektivë të policisë që kishin detyrë kontrollin e zonës janë pezulluar nga detyra.

Nënkomisarët K. P., me detyrë shef i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe F. M., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve si dhe Inspektor M. A., me detyrë ndihmësspecialist do ti nënshtrohen verifikimeve ndërsa materialet I kanë kaluar prokurorisë