Mesfushorit polak nuk i del e keqja nga humbja në Shqipëri
Mesfushori i Napolit, Piotr Zielinski ka folur edhe në vendlindje pas humbjes së rëndë të Polonisë 2-0 në Tiranë, një disfatë që sipas tij është e pakuptueshme edhe pse një humbje dramatike Polonia e kishte pësuar edhe në muajin qershor në Moldavi por mesfushorit në atë rast nuk i kishte “djegur” kaq shumë sa në rastin e Tiranës.
“Është dramatike të komentosh një ndeshje të tillë, ka pak për të thënë. Shqipëria tregoi se si fitohet një ndeshje sepse luajti si një skuadër dhe punoi shumë në fushën e lojës.
Fajin për humbjen e kemi vetëm ne sepse po të kishim shfaqur më shumë dëshirë do të kishim shënuar minimalisht një gol. Ata bënë lojën e tyre dhe u vendosën mirë në mbrojtje duke lënë shumë pak hapësira. Ne ishim pak të lëvizshëm dhe nuk kishte rotacion në pozivcione. Shqipëria besoi duke treguar motivim dhe dëshirë për të fituar”, deklaron 29-vjeçari i Napolit.
