Dhuna barbare e Rrajave del plagosje e lehtë, dosja e destinuar të dështojë. Prokuroria kërkon ankimin e dy të dëmtuarve të fisit Maja

Dhuna barbare e anëtarëve të fisit Rraja, kundër dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja, është klasifikuar si “Plagosje e lehtë me dashje” dhe jo siç u regjistrua në fillim në prokurorinë e Tiranës, “Plagosje e rënda” e kryer në formën e bashkëpunimit. Çështja penale ka hyrë në një labirint me destinacion dështimi.

Pasi tashmë prokuroria, nuk mund ta ndjekin kryesisht dhe me iniciativë këtë dosje. Me qëllim mbajtjen në këmbë të kësaj çështje, prokuroria ka kërkua në 8 Gusht 2023 që dy të dëmtuarit Maja, të rikonfirmojnë vullnetit e tyre për të bërë ankim para prokurorit të çështjes.

Vendimi i prokurorisë për ndryshimin e akuzave, ka ardhur pasi prokurori i çështjes është njohur në muajin Korrik 2023, me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr.1620, në të cilin dilet në përfundimin se dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, kanë marrë plagë të lehta që i kanë kufizuan lirinë në punë, deri në 9 ditë. Përmes këtij akti-ekspertimi, prokuroria nuk mund të ndjekë rastin penal ndaj 9 personave të fisit Rraja për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje”.

Ndaj dhe kjo akuzë është ndryshuar duke e klasifikuar dhunën barbare me shkopinj bejsbolli, drunj të ndryshëm, hekura dhe qyta pistolete si një “Plagosje të lehtë me dashje”. Kjo akuzë parashikon një marsh dënimi nga gjobë deri në 2 vite burgim.

Ndërsa sjell automatikisht dhe ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” apo “arrest shtëpie” në detyrim paraqitje për personat e proceduar dhe arrestuar në muajin Korrik nga policia.

Personat nën hetim për ngjarjen e rëndë të ndodhur në fillim të muajit Korrik, janë Ineidi Rraja, Andi Rraja, Eni Kullaj, Përparim Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Rexhep Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta.

Disa nga këta persona janë arrestuar dhe aktualisht janë lënë në masën e “arrestit në burg”. Ndërsa Rexhep Rraja, djali Rahmanit, deputetit të PS në Fushë Krujë dhe Xhelal Rraja vijojnë të jenë në kërkim policor.

Pamjet filmike që tregonin dhunën barbare të dy kushërinjve Maja, sollën më pas reagimin e deputetit të PS, Rrahman Rraja, i cili kërkoi ndjesë publike duke dorëzuar mandatin e deputetit të PS. Incidenti i rëndë mes fisit Rraja dhe dy kushërinjve Maja, erdhi pas një zinxhiri përplasjes për një gurore në fshatin Borizanë.

Si pasojë e shpërthimeve me tritol në gurore, disa prej anëtarëve të familjes Maja, ju ishin dëmtuar banesat, çka solli ngritjen e tyre në protestë duke bllokuar rrugën ku kalonin kamionët e gurores.