Rikthehet “DREJT” me Luan Ramën në Ora News: Protagonistë do të jenë të gjithë
Në Ora News:
SËRISH BASHKË NË “DREJT”
Nga sonte në mbrëmje në ora 21:00 do të jemi sërish bashkë në “DREJT”.
Më keni ndjekur përgjatë dy viteve në ekranin e Radiotelevizionit Ora e bashkërisht ia kemi dalë të krijojmë një hapësirë tonën të komunikimit bazuar në të vërtetën dhe paanësinë.
Pavarësisht vështirësive, pengesave dhe armiqësive krejt subjektive, pa shkak e të papërligjura, jo me mua, dhe as me “DREJT”, por me ekranin e RTV Ora, në dy vjet sëbashku në këtë ekran kemi dëshmuar se etika profesionale dhe objektivitet, gjuha qytetare e debatit dhe respekti për mendimin ndryshe janë standarde të panegocueshme, përkundër servilizmit dhe militantizmit të verbër nga një anë e stisjes dhe fallsifetit të shfaqur dhunshëm në anën tjetër.
“DREJT” nuk do të jetë më në RTV Ora, sepse shteti që ka marrë përsipër ta administrojë atë televizion dhe që në bazë të ligjit e ka për detyrë ta ushtrojë këtë përgjegjësi me efikasitet dhe me efektivitet, ka bërë të kundërtën.
Jo vetëm nuk ka dashur ta menaxhojë sipas detyrimit që i përcakton ligji, por edhe e ka sabotuar dhe penguar qëllimshëm mirëmenaxhimin e kësaj pasurie mediatike e cila duhej vlerësuar e trajtuar si një e mirë publike dhe në shërbim të publikut.
Ndaj, nga sonte në ora 21:00 e në vijim çdo të hënë e të enjte në këtë orë, “DREJT” do të jetë në ekranin e televizionit Ora News.
Bashkërisht në “DREJT” në Ora News, në frekuencën tonë të komunikimit qytetar për gjithçka ka të bëjë e lidhet me jetën tonë.
Në “DREJT” do të gjeni çfarë ju doni të dini mbi zhvillimet në vend, por edhe mbi situatën në rajon e më gjerë ngjarjet ndërkombëtare.
Në “DREJT”, në Ora News protagonistë do të jenë të gjithë; qytetari i thjeshtë në përditshmërinë e vet, por edhe deputeti e ministri, studenti dhe akademiku, mjeku dhe mësuesi, inxhinieri dhe ndërtuesi, nxënësi i shkollës dhe pensionisti, një i papunë në kërkim të shpresës, por edhe Kryeministri e Presidenti.
Pra të gjithë. Dhe vetëm me një kriter;
TË VËRTETËN ME PAANËSI!
