Turneu i tenisit "Shkodra Open 2023", fitues: shqiptarja Gresi Bajri dhe bullgari Danial Spasov
Nga OraNews Përditësimi i fundit 28 Gusht 2023, 14:45
Ka përfunduar “Shkodra Open 2023”, veprimtaria më e madhe sportive e zhvilluar deri tani në Shkodër, me pjesëmarrjen e mbi 200 tenistëve të rinj nga disa vende të botës, organizuar nga Shkodra Tennis Club, edhe me mbështetjen e Bashkisë.
Ky aktivitet sportiv, për herë të parë përfshiu Shkodrën në hartën botërore të sportit të tenisit.
Tenistja shkodrane Gresi Bajri, është fituesja e dy trofeve të turneut botëror të tenisit për të rinj “Shkodra Open 2023”, që u zhvillua në Adriatik Tenis Park, në Shkodër.
Pas fitores të ditës së shtunë në finalen e garës dyshe bashkë me Alexandra Magia, Gresi Bajri fitoi edhe finalen e së dielës, garën individuale, për vajza. Ndërsa për djem fituesi i kupës u shpall Danial Spasov nga Bullgaria./ATA

