VIDEO/ Juventus tremb rivalët, fitore “muskujsh” në Udine, Ramadani debuton me fitore në Lecce
Starton me një fitore të merituar dhe spektakolare sezoni i Serie A për Juventusin. Në transfertën e vështirë të Udines skuadra bardhezi tregoi klas dhe shumë forcë duke fituar 3-0.
E nisi vrullshëm ekipi i Massimiliano Allegrit ndeshjen në Friuli ku gjeti menjëherë rrugën e rrjetës me Chiesa-n ndërsa brenda pjesës së parë shënuan edhe Vlahovic nga pika e bardhë dhe Rabiot. Tre gola që rrëzuan bardhezinjtë pritës, asnjëherë skuadër e lehtë për t’u kaluar por që Juventusi e dominoi me lehtësi duke zotëruar gjithë ndeshjen në çdo metër të fushës.
Ndërkohë në Lecce, Ylber Ramadani u aktivizua titullar në fitoren ndaj Lazios ku skuadra puljeze triumfoi 2-1 me dy gola në fund të takimit. Ndeshje shumë pozitive për mesfushorin e Kombëtares Shqiptare që iu afrua disa herë golit.
