Mungojnë paratë, skuadra e Superiores rrezikon shkrirjen ende pa nisur sezoni
Problemet e mëdha ekonomike janë "ulur këmbëkryq" në klubin e Kukësit ku njeriu që e ka sponsorizuar dhe mbështetur këtë skuadër për më shumë se 1 dekadë, Safet Gjici sot është pas hekurave të burgut.
Klubi verilindor që shumë vite më parë shkruajti historinë në Europë duke u bërë e para skuadër shqiptare që kalonte tre raunde, sot rrezikon ekzistencën edhe pse njofton herë pas herë afrime në merkaton e verës.
Grupi që ka mbetur në drejtimin e trajnerit Rahman Hallaçi ka refuzuar të marrë pjesë në stërvitjen e ditës së sotme. Kur duhen rreth 3 javë nga starti i sezonit të ri, situata nuk është aspak e qartë sepse stafi dhe lojtarët nuk paguhen që prej shumë muajsh.
Gjatë ditëve të fundit ka pasur zëra edhe për kalimin e pronësisë nga familja Gjici në duar të aksionerëve të tjerë por koha po vrapon dhe me kalimin e ditëve, situata bëhet edhe më e paqartë për ekipin e Kukësit.
