Bayern Munchen deklaron publikisht interesin për sulmuesin Harry Kane
Sulmuesi Harry Kane është objektivi kryesor i Bayern Munchen. Deklaratën e bën presidenti i klubit gjerman, Herbert Hainer, i cili e ka etiketuar bomberin anglez si një “lojtar tërheqës”.
Sulmuesi ishullor ka edhe 12 muaj kontratë me Tottenham që nuk arrinta bindë për të rinovuar por nuk e lejon të largohet as me më pak se 100 milionë stërlina dhe situata është e komplikuar, pavarësisht interesit të fortë që ka shfaqur Bayern në adresë të tij.
Presidenti Hainer thekson se në Bundesligë nuk ka lojtarë të fortë ndërkombëtarë dhe Bayerni mbetet i orientuar drejt merkatos së emrave me peshë.
“Harry Kane është një lojtar shumë tërheqës, kapiten i Anglisë dhe golashënues i lindur. Ai mund të rrisë ndjeshëm cilësinë dhe imazhin e Bundesligës”, thekson presidenti i klubit më të titulluar të Gjermanisë, duke lënë të kuptohet se Bayern do të bëjë gjithçka për ta transferuar Kane në “Allianz Arena”.
