Incineratorët, Berisha paralajmëron protesta: Do iu drejtohemi qytetarëve

Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar sot protesta për aferën e inceneratorëve, teksa parlamenti sot miratoi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Berisha tha se do iu drejtohemi qytetarëve.

“Ne e kemi trajtuar këtë temë me seriozitetin dhe vërtetësinë më të madhe. Por është e domosdoshme që ne t’u drejtohemi shqiptarëve për këtë çështje.

Në asnjë vend të botës, një qeveri që ka bërë këtë, nuk qëndron. Dhe nëse qëndron, qëndron për dobësi të opozitës. Ne do u drejtohemi shqiptarëve për të kërkuar largimin e kësaj qeverie me protesta.

Kjo është një aferë e tmerrshme. Nuk ka shoqëri që mund të tolerojë këtë aferë. Do ketë negociata me opozitën. Do bëhen negociata me forca të tjera opozitare. Por kjo nuk mund të kapërcehet!”, tha Berisha.

Berisha akuzoi se Edi Rama po vjedh me Damian Gjiknurin energjinë e djegësit të Elbasanit.

"Është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët të kapin të vërtetën. Se ky është një rast i pashembullt në historinë e një vendi.

Zoto dhe Mërtiri, për të vendosur të gjitha kushtet që donte sipërmarrja e qeverisë, donin procedurë me negociata të mbyllura, ku diktonin çod kusht. Kjo nuk ekzistonte në ligjet e vendit. Ministri i Mjedisit iu drejtua dy herë Agjencisë Kombëtare të Prokurimeve për ta autorizuar këtë procedurë. Eduart Ahmeti e kundërshtoi në mënyrë të prerë si procedurë antiligjore.

Pronari i vërtetë i ndërmarrjes, Edi Rama, shfrytëzon pushtetin e tij, dhe bashkë me Agaçin, firmos në kundërshtim flagrant me ligjin, procedurën antiligjore të negociatave të mbyllura.

A mund të ishin Zoto, Mërtiri dhe Gugallja, pronarë të dy djegësave, Elbasanit, Fierit dhe më vonë të Tiranës në këtë mënyrë? Kurrën e kurrës. Duhej që ose qeveria të përbëhej nga njerëz që kanë humbur çdo fakultet mendor, dhe të tillë nuk janë. Duhet të ishin magjistarë, por ata magjistarë nuk janë.

Kjo ndodhi sepse ndërmarrja ishte e Edi Ramës. Të gjithë ata të cilët firmosën bazuar në dokumentin e firmosur nga Edi Rama dhe Engjëll Agaçi, janë përgjegjës. Janë përgjegjës sepse ligji thotë se nuk mund të zbatohet një vendim i paligjshëm. Ky ligj urdhëron çdo zyrtar, qoftë oficer policie, qoftë oficer ushtrie, çdo njeri. Por këta e zbatuan, me radhë. Këta që firmosën janë përgjegjës, pa përjashtim.

Meqë jemi te djegësat, se dy janë prokurime publike, një është në koncesion. Tani në sipërmarrjen e Ramës, në skemë hyn një hajdut i ri. Dhe shikoni se si Rama vjedh me Gjiknurin, energjinë e djegësit të Elbasanit. Studioni kontratën e djegësit të Elbasanit, ajo thotë se do prodhohet energji për shtatë vite, pastaj ajo bëhet e tëra pronë publike e Bashkisë së Elbasanit.

Çfarë bën bosi i sipërmarrjes? Bosi i sipërmarrjes, bashkë me Damian Gjiknurin, firmos një kontratë me kompaninë që administronte djegësin e Elbasanit, sipas të cilës kjo kompani ka të drejtën për 30 vite t’i shesë shtetit. Çka do të thotë se Rama dhe Gjiknuri inkasojnë energjinë që prodhon djegësi i Elbasanit për 30", tha ai.

Po ashtu, Berisha theksoi se nuk ishte Arben Ahmetaj koka e mbretit.

"Keni vënë re ju se si vjedh Belinda Balluku? I copëtojnë rrugët me lote. Unaza e Tiranës ka 13 vjet që nuk përfundon me lote.

Përfundoi Rruga e Kombit për dy vite. Përfundoi rruga Levan-Vlorë për dy vite. Pse e bëjnë kështu? Se kështu vjedhin me Salillarët dhe të tjerë dhe nuk futin kompanitë e huaja.

Kompanitë e huaja nuk janë, se ndjekin standarde të tjera. Ndaj ndërtoheshin rrugë me 2 milionë euro për kilometër. Me respektin më të madh për ndërtuesit shqiptarë, por rrugët janë ndërtuar nga kompanitë e huaja.

Dhe unë u bëj thirrje medieve t’u thonë shqiptarëve të vërtetën për këtë sipërmarje. Është banale të përflitet për sipërmarrje Zoto-Gugallja-Mërtiri. Kjo është sipërmarrja Rama-Veliaj-Agaçi-Gjiknuri.

Jam përpjekur të ekspozoj Ramën si kreu i organizatës. Nuk e bëj për qëllime politike, por dokumentet të detyrojnë të thuash të vërtetën.

Sot ia mbathi. Ajo që tha avokati, koka e mbretit apo revolucionit, koka e mbretit iku. Nuk ishte Arben Ahmetaj koka e mbretit. Dhe po të shihni fytyrat e tyre, nuk kishte pamje të papara ndonjëherë.

Do të studiohet edhe leximi i fytyrës, do të dalin aty të gjithë që janë të implikuar. Aty me firma janë me dhjetëra, me dhurata janë me dhjetëra", theksoi ish-kryeministri Sali Berisha.