Rama: Enkileda Carja kampionia me 3 medalje ari në Kampionatin Europian për të rinj U15

Shqipëria vijon të rrëmbejë medalje ari në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të rinj U15.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale foton e sportistes së talentuar, që përfaqësoi Shqipërinë në këtë kampionat, teksa shkroi se “Enkileda Carja është kampionia shqiptare e radhës me plot 3 medalje ari në Kampionatin Europian për të rinj U15”.

Enkileda Carja nga Elbasani arriti të ngrejë në total 184 kg. Në stilin e shkëputjes ajo ngriti 84 kg dhe 100 kg në stilin e shtytjes.

Fitoren e sportistes shqiptare, në Kampionatin Evropian për të rinj U15 e përshëndeti edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.

Kushi ndau në rrjete sociale pamje nga momenti i dekorimit të peshëngritëses kampione, teksa shkroi: “Enkileda Carja, nxënësja e shkëlqyer nga Elbasani, shpallet kampione me 3 medalje ari në Kampionatin Evropian për të rinj U15”.