Rrogozhina në zgjedhje, Memolla dhe Hoxha edhe një herë përballë njeri tjetrit më 23 korrik

Kandidati i Partisë Socialiste Edison Memolla dhe Shkëlqim Hoxha i koalicionit 'Bashkë Fitojmë' do të vendosen edhe një herë përballë njeri tjetrit më 23 korrik. KQZ miratoi zyrtarisht datën e zgjedhjeve, duke i hapur rrugë kështu edhe përgatitjeve të kandidatëve

KAZ ka vendosur zyrtarisht 23 korrikun si datën kur qytetarët e Rrogozhinës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të Bashkisë.

Në garë do të jenë sërish Edison Memolla i PS dhe Shkëlqim Hoxha i koalicionit 'Bashkë Fitojmë'.

Vendimi u mor në mbledhjen e KQZ, pasi Kolegji Zgjedhor vendosi më 15 qershor për përsëritjen e zgjedhjeve lokale, duke shpallur të pavlefshëm rezultatin e votimeve të 14 majit në Rrogozhinë.

Në procesin e parë, triumfoi socialisti Edison Memolla me 21 vota diferencë nga kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Shkëlqim Hoxha, rezultat i cili u ankimua nga koalicioni opozitar.

KQZ ka dhënë edhe miratimin e formatit dhe specifikimeve të vulës së Komisionit të Qendrës së Votimit, vulës së kryetarit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe vulës rezervë të Komisionit të Qendrës së Votimit, të KZAZ-së nr. 43 në Rrogozhinë, që do të përdoren të dielën e 23 korrikut 2023, për përsëritjen e zgjedhjeve për Kryetar Bashkie.

Po ashtu në seancën e kësaj të marte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, i propozuar nga PS.