Lukaku dashuron Interin por vetë atë e dashuron...Milani

Interi nuk e ka ushtruar të drejtën e blerjes së kartonit të Romelu Lukakut nga Chelsea dhe sulmuesi belg që po bën të pamundurën për të qëndruar në Milano, mund të përfundojë në derën tjetër të qytetit.
Edhe pse ka refuzuar një kontratë të majme nga Arabia për të qëndruar në Europë me fanellën zikaltër, Chelsea nuk ka ndërmend që ta falë. Në zyrat e klubit nga Londra është prezantuar edhe Milani për t’u interesuar rreth planeve që kanë blutë për 30-vjeçarin.
E papritur lëvizja e kuqezinjve që mund të ketë kapur në befasi edhe vetë shtatlartin belg, i cili ka deklaruar publikisht dashurinë që ka për Interin dhe një transferim i mundshëm në anën kuqezi do të ishte traumatik jo vetëm për të por edhe për tifozët e të dyja skuadrave.
Chelsea mund të pranojë një ofertë deri në 40 milionë euro edhe pse në total për sulmuesin ka shpenzuar plot 109 milionë. Këtë shumë, Inter nuk është në gjendje ta paguajë ndërsa Milani ndoshta...pas largimit të Sandro Tonalit te Newcastle.
