Pse shpërthyen iranianët? Prençi: Kontrolli i policisë sipas rregullave dhe i ligjshëm, por ja ku gaboi
Me urdhër të SPAK policia e shtetit konfiskoi këtë të martë serverët e muxhahedinëve të MEK-ut në Manzë.
Por kontrolli nuk pritet mirë nga iranianët, të cilët kundërshtuan me dhunë policinë dhe tentuan të djegin provat.
Për ekspertin dhe ish-drejtuesin e lartë të Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi operacioni i Policisë i drejtuar nga vetë drejtori i Përgjithshëm i saj, Muhamet Rrumbullaku, ishte gjithçka konform ligjit dhe i mirë-organizuar nga blutë.
Në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” dhënë moderatores Beti Njuma, Shemsi Prençi theksoi se iranianët e MEK-ut e kanë shkelur marrëveshjen dhe fatkeqësia është se policia nuk e ka ushtruar asnjëherë kontrollin në atë qytezë.
“Operacioni ishte gjithçka i hartuar sipas ligjit dhe rregullave.
Po besoj se GJKKO dhe SPAK i kanë pasur të menduara se cilat nga objektet kanë qenë me risk.
Policia pikërisht këtu çaloi. Ose duhej t’i izolonte në fillim njerëzit, ose duhej t’i kishte të evidentuara që në fillim objektet e rriskut.
Reagimi i iranianëve ishte shumë i shpejtë dhe shumë i shpejtë. Por nga ana tjetër reagimi i policisë ishte shumë i dobët.
Ajo nuk reagoi në proporcion të drejtë me dhunën e ushtruar nga protestuesit atje në flagrancë. Sepse nuk ka asnjë të arrestuar nga dhunuesit dhe ata që tentuan të djegin apo fshehin serverat.
Ajo që nuk më pëlqeu si oficer policie ishte fakti që kur nisi tërheqja e policisë, protestuesit nisën të fyejnë policinë.
Ata e kanë shkelur marrëveshjen dhe fatkeqësia është se policia nuk e ka ushtruar asnjëherë kontrollin në atë qytezë.
Shteti shqiptar duhej të kishte një inventar të përditshëm të atij kampi. Policia duhej të ishte prezente përditë atje, me prezencën e saj, apo dhe me kontaktin e përditshëm apo të përmuajshëm.
Duke qenë se këta kanë 10 vite në një kamp pa u familjarizuar me policinë ka sjellë këtë reagim. Sepse atje mund të ketë persona të infiltruar dhe që kanë ushtruar aktivitet kriminal”, u shpreh Prençi.






