Berisha: PD e dënon terrorizmin, i bëj thirrje OKB-së, SHBA-së dhe NATO-s të nisin urgjent një hetim ndërkombëtar!

Në një dalje nga selia blu, Sali Berisha tha se nuk përjashtohen mundësitë që brenda muxhahedinëve të ketë dhe të infiltruar, terroristë, të deleguar apo të dërguar të regjimit të Ajatollahve.

Por ai shtoi se PD nuk pranon kurrë ndëshkime kolektive dhe këtë që ka ndodhur sot, një masakër pothuajse e vërtetë në kampin e Manzës.

Berisha: Partia Demokratike është një parti e cila dënon terrorizmin ngado që vjen. Nuk përjashtohen mundësitë që brenda muxhahedinëve të ketë dhe të infiltruar, terroristë, të deleguar apo të dërguar të regjimit të Ajatollahve, por PD nuk pranon kurrë ndëshkime kolektive dhe këtë që ka ndodhur sot, një masakër pothuajse e vërtetë në kampin e Manzës. Akuzat e formuluara nga prokuroria apo policia, sigurisht kërkonin hetim dhe gjykim, por kjo nuk mund të bëhej kurrë me një reprezalje masive ndaj refugjatëve iranianë me strehë në Shqipëri.

Unë informoj shqiptarët gjithashtu se sulmet kibernetike nga regjimi i Ajetollahëve janë një e vërtetë dhe realitet i pamohueshëm në vlerësimin tim. Por informoj shqiptarët gjithashtu se para këtyre sulmeve, nuk ishte Garda Revolucionare e Ajatollahëve, as zbulimi i tyre që sulmoi sistemet dixhitale shqiptare, por i sulmoi Edi Rama me falangat e tij të krimit, që nxorri në treg të gjitha të dhënat për punonjësit e SHISH, duke nxjerrë kështu në publik, të dhëna sekrete për këtë shërbim, duke dëmtuar jo vetëm interesat e tij, por edhe të shërbimeve sekrete të NATO-s në tërësi.

PD informon shqiptarët se nuk ishin Ajatollahët që nxorën në treg, pagat e shqiptarëve, targat e shqiptarëve, por ishin falangat e krimit të Edi Ramës ta bëjnë këtë, kohë më parë se hakerat e Pasdaranit të ndërhynin në sistemet tona.  Ishte Edi Rama dhe qeveria e tij që lëshoi në duart e patronazhistëve, të dhënat personale të mbi 1 mln shqiptarëve, të depozituar me besim të plotë tek qeveria e tyre armiqësore.

Edhe një herë, i bëj thirrje OKB-së, Kongresit të SHBA, i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, institucioneve që merren me refugjatët, të ndërmarrin një hetim urgjent ndërkombëtar për këtë ngjarje tragjike të turpshme, plotësisht të shmangshme. Krejtësisht të pajustifikueshme që turpëron Shqipërinë, që dhunon në mënyrë flagrante konventat ndërkombëtare për refugjatët dhe ligjet e vendit.