Berisha: Inkursion banditesk me urdhër të Ramës në MEK, dënojmë dhunën që solli një viktimë në MEK
Në një dalje nga selia blu, Sali Berisha tha se inkursioni agresiv dhe banditesk i Policisë së Shtetit me urdhër të Edi Ramës në kampin e refugjatëve iranianë, në Manzë përbën një krim të shëmtuar.
Ai thekson se dënon me ashpërsinë më të madhe, terrorin fizik, psikologjik të gjithanshëm të ushtruar ndaj muxhahedinëve ditën e sotme nga ana e policisë.
Berisha: Inkursioni agresiv dhe banditesk i Policisë së Shtetit me urdhër të Edi Ramës në kampin e refugjatëve iranianë, në Manzë përbën një krim të shëmtuar, përbën një dhunim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit, konventave ndërkombëtare për refugjatët, traditës shqiptare dhe detyrimit që vjen nga kjo traditë.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe, terrorin fizik, psikologjik të gjithanshëm të ushtruar ndaj muxhahedinëve. Dënoj me ashpërsinë më të madhe, dhunën e egër fizike e cila ka pasur pasojë deri më tani 1 të vdekur me plagë të shumta dhe mbi 40 të plagosur, një pjesë e të cilëve janë në spitalet e vendit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe veprimet dhe i konsideroj banditeske ato, pasi të gjitha objektet e konfiskuara janë marrë pa lënë asnjë dokument, asnjë procesverbal nga ana e Policisë së Tiranës.

