“15 policë të lënduar”, Rrumbullaku: Rezistenca e iranianëve nisi kur u konstatuan serverat, përdorëm vetëm spraj… Muxhahedinët tentuan t’i digjnin pajisjet
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Rrumbullaku tregon se çfarë ka ndodhur sot në kampin MEK. Ai thotë se në 17 objekte janë gjetur salla serverësh dhe pajisje kompjuterike. Në këtë moment, tha ai, ka nisur dhe rezistenca.
Rrumbullaku: Në orën 8 të mëngjesit, së bashku me disa drejtues policie të nivelit të lartë kemi thirrur në taim të 6 drejtuesit e kampit MEK, për 1 orë kemi bërë kontroll. Kemi gjetur mirëkuptimin e tyre në momentet e para.
Kërkuam hapje te portave respektive, bashkë me drejtuesit kemi hyrë në ambientet e territorit. Më pas ka nisur faza e kontrollit, ku për 2 orë vumë re salla servera dhe kompjutera, më pas nisi një rezistencë e tyre duke mos lejuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës. U kalua në vetëpërmbajtje ekstreme. Nuk është përdorur dhunë ndaj tyre.
Nuk kemi gjetur mbështetje. I vetmi mjet që u përdor ishte sprajti individual i punonjësve. Nga ana jonë u përdor vetëm sprajt, janë dëmtuar 15 policë, janë lënduar 21 shtetas që ndodhen në 2 spitale të Tiranës, tani 15 kanë lënë spitalin.
Në tërësinë e të gjithë veprimeve të kryera kanë qënë të ligjshme, pa kaluar kufirin e përdorimit të forcës.
Rrumbullaku tha se gjatë operacionit në kampin e MEK policia ka sekuestruar 96 njësi kompjuterike të cilat po tentoheshin të digjeshin nga ana e drejtuesve të organizatës së muxhahedinëve.
“Janë sekuestruar 96 njësi komputerike, 46 laptopë, karta memorie që tentuan të asgjësoheshin me djegie nga anëtarët e MEK. Gjatë kohës që kryenim veprimet, drejtues të MEK më kanë bërë me dije se në qendrën e tyre të emergjencës ndodhej një banor që kishte ndërruar jetë.
Ju sigurojmë që pas daljes së ekspertizës mjekoligjore do të nxirrni konkluzionin tuaj. Vendimi i GJKKO vjen si pasojë e veprimeve që bien ndesh me marrëveshjen e firmosur nga MEK me qeverinë shqiptare”- tha Rrumbullaku.




