Balla: Vetingu konfirmoi 91 prokurorë dhe shkarkoi 50, nevojiten 103 prokurorë të rinj
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla raportoi sot në komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjatë vitit 2022.
Balla informoi se KLP gjatë vitit 2022 është mbledhur 35 herë dhe ka marrë 333 vendime në total.
Sipas tij, aktualisht në rang vendi janë 341 prokurorë, prej të cilëve gjatë vitit 2022 kanë ushtruar detyrën 214 prokurorë, kjo për shkak të vakancave në prokurori.
“Nga vetingu në total janë konfirmuar 91 prokurorë dhe u shkarkuan 50, mesatarja 54% e kalueshmërisë. Që prej nisjes së procesit të vetingut u dorëhoqën 21 prokurorë, ndërsa 11 prokurorë kanë dalë në pension”, bëri të ditur Balla.
Sipas tij, gjatë vitit 2022 janë kryer 35 vlerësime etike për prokurorët e të gjitha niveleve. Po ashtu, Balla informoi se 22 studentët që përfunduan Magjistraturën u emëruan në detyra.
Për shkak të vakancave të shumta në radhët e prokurorëve, Balla bëri të ditur se KLP propozoi që të rritej numri i pranimeve në Shkollën e Magjistraturës me 15 vende më shumë krahasuar me vitin 2021, duke arritur në 40 studentë.
“Çdo vit ne s’marrim dot numrin e kërkuar të studentëve nga Magjistratura. Për këtë vit që kërkuam 40 kandidatë, na kanë kaluar 26. Pra çdo vit kemi mangësi me plotësimin e vendeve me prokurorë. Kjo ka nevojë për zgjidhje ligjore. Duhet gjetur një mekanizëm zhbllokues. Presim 103 prokurorë që të futen në sistem në këto 4-5 vite. Asnjëherë nuk kemi arritur të kemi 341 prokurorë të plotë sipas strukturës. Ne shpresojmë që brenda 4-5 viteve të përfundojmë plotësimin e strukturës”, tha ai.
Balla kujtoi se aktualisht janë ende 70 prokurorë që s’kanë përfunduar ende procesin e vetingut.
Po ashtu, Balla u shpreh se sot prokurorët janë më të mbrojtur se kurrë më parë.
“8 kërkesa për mbrojtje nga magjistratë prokurorë u vlerësuan se ishin në rrethana serioze që rrezikonin jetën e tyre apo familjes. I është dërguar menjëherë policisë kërkesa dhe u morën masat për mbrojtjen e tyre”, theksoi ai.
