Çela: Ndjekja e procedimeve penale në rritje gjatë 2022-it, Tirana me ngarkesën më të lartë, Berat më të ultën

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela zhvilloi sot një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve ku parashtroi raportin përmbledhës vjetor mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2022.

Në fjalën e tij, Çela vuri në dukje se edhe gjatë vitit 2022 vijuan vakancat në radhët e prokurorëve, deri në 42% të prokurorëve, për shkak të procesit të vlerësimit. Çela siguroi se problemet e krijuara nuk penguan prokurorinë të ushtrojë me përgjegjësi kompetencat që i ngarkon ligji.

“Janë ndjekur gjithsej 48315 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,69 % në krahasim me vitin 2021, nga të cilat janë 25737 procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 9,27 % në krahasim me vitin 2021, dhe 695 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 26,06 % në krahasim me vitin 2021. Janë mbartur 21883 procedime penale me rritje prej 20,21 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2021. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 12799 referime dhe kallëzime penale, me ulje prej 5,21 % në krahasim me vitin 2021”, tha ai.

Çela informoi se Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë ka numrin më të lartë të ngarkesës, gati 34% të ngarkesës së përgjithshme.

Ndërkohë kryeprokurori informoi se përqindjen më të ulët të kriminalitetit në vend e ka qarku i Beratit, ndërsa përqindja më e lartë rezulton në qarkun e Gjirokastrës.

“Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Shkodër me 10,64 %, ndërsa qarku Berat ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, që rezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin
2021”, tha ai.

Po ashtu, sipas tij “veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të veprave penale”.

“Bazuar në statistikat e vitit 2022, rezulton se 79 % e procedimeve penale i përkasin krimeve dhe 21% i përkasin kundërvajtjeve penale ose krahasuar me vitin 2021 të këtij raporti, me rritje 0,23 % e procedimeve për krime dhe ulje në procedimet për kundërvajtje penale”, shtoi Çela.

Kryeprokurori informoi se në vitin 2022 në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është urdhëruar ekzekutimi i 9,146 vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë, janë ekzekutuar 4897 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 3806 vendime, të cilët sipas llojit të dënimeve të pa ekzekutuar janë: 6 dënime me burgim të përjetshëm, 571 vendime me burgim, 516 vendime për dënimin me gjobë, 25 dënime plotësuese dhe 2688 dënime alternative.