Vjedhje me prona dhe mbivendosje, pyetet në prokurori Ymer Marku, ish-kryekomunari i Bërxullës, topografi e zyrtari i qarkut

Një dosje voluminoze e regjistruar për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”, e cila bën fjalë për abuzimin me pronat në zonën e ish-komunës Bërxullë në Tiranë, ka çuar në dyert e prokurorisë ish-zyrtarë të kësaj komune dhe zyrtarë aktualë të zyrës së Këshillit të Qarkut Tiranë.

Bëhet fjalë për verifikimin e dhjetëra praktikave të regjistrimit të pronave, përmes lëshimit të AMTP-ve fals nga drejtuesit e ish-komunës Bërxull. Praktika këto që tashmë po ndiqen nga prokurori i krimit-ekonomik, Adriano Dyrmishi dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Alan Xhili.

Një skemë e tillë falsifikimi me qëllim vjedhjen e pronave shtetërore dhe banorëve të zonës, është kryer dhe zbuluar në zonën e Spillesë, Velipojës, “Rranës së Hedhun” në Shëngjin, “Tale” të Lezhës etj.

“Ora News” mëson se brenda një periudhe 10 ditore, për këtë çështje janë marrë në pyetje tre persona, mes tyre dhe ish-kryekomunari i Bërxullës, Ymer Marku.

Ky i fundit është pyetur për abuzimet me dokumentacionin e pronave në zonën kadastrale nr Nr. 1167. Dokumentet e falsifikuara në të paktën 10 raste, kanë dalë nga komuna Bërxull, gjatë periudhës kur ky institucion drejtohej nga Ymer Marku.

Sipas burimeve të prokurorisë së Tiranës, ish-kryekomunari Ymer Marku, po hetohet pasi gjatë ushtrimit të detyrës, ka pasur implikimin e drejtpërdrejtë në falsifikimin e të dhënave dhe certifikatave familjare, të cilat kanë qenë baza e metodologjisë për llogaritjen e tokës bujqësore që do ndahej duke u bazuar në ligjin Nr.7501 “Për Tokën Bujqësore”.

Gjatë marrjes në pyetje në prokurorinë e Tiranës, Marku ka pretenduar se me pjesën e tokave kishte një zyrë të posaçme në komunë, që ndiqte të gjithë praktikën dhe jo kryetari i institucionit.

Sipas tij, kryekomunari ka qenë hallka fundore e miratimit të dokumentacionit, në një kohë kur dokumentacioni përgatitej nga topografi, zyra juridike dhe Zyra e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në prefekturën e Tiranës.

Për të zbardhur të gjithë dinamikën e këtij falsifikimi, në prokurori është paraqitur dhe ka dëshmuar Sakip Domi, me profesion topograf pranë ish-komunës së Bërxullit.

Pjesën më të madhe të praktikave të falsifikuara dhe mbivendosura janë kryer pikërisht nga ky topograf, që tashmë ka dhënë shpjegime në prokurorinë e Tiranës.

Ndërsa personi i tretë është Mersin Murati, i cili aktualisht drejton zyrën e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut Tiranë.

Pritet që në ditët në vijim në prokurori të paraqiten zyrtarë të tjerë të Hipotekës Tiranë, dhe personat që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme sipërfaqet e tokës në zonën kadastrale Nr. 1167 të ish-komunës Bërxullë.