Freedom House: Shqipëria dhe Kosova përmirësim, lufta thelloi ndasitë mes shteteve
Ndryshe nga sa pritej, Lufta në Ukrainë nuk ka çuar drejt unitetit, por ka thelluar ndasitë mes shteteve thuhet në raportin e Freedom House për vendet në Tranzicion. Ndërkohë për Shqipërinë vlerësohet lufta kundër korrupsionit, duke shënuar përmirësim në vlerësimin përfundimtar. Përmirësim shënon edhe Kosova
Lufta në Ukrainë ka ndikuar në thellimin e ndasive mes “Vendeve në Tranzicion”, ky është konkluzioni Organizatës Freedom House për vitin 2022.
Në raportin thuhet se në vend që t'i forconin lidhjet në rajon, ”kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta”.
Ndërkohë vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënoi një përparim të lehtë në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, falë një rritjeje të vlerësimit në luftën kundër korrupsionit.
Megjithatë treguesit e tjerë të demokracisë mbetën të pandryshuar dhe raporti thotë se institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar.
“Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Megjithëse agjencitë e reja ligjzbatuese si SPAK, krijuar në vitin 2019, tregojnë shenja premtuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”, thuhet në kapitullin për Shqipërisë të raportit “Vendet në Tranzicion 2023”.
Përmirësim të lehtë në këtë raport ka shënuar edhe Kosova.
“Marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan të minojë përparimin demokratik në të dyja vendet, edhe pse në aspekte të ndryshme. Përpjekje të jashtëzakonshme nga shoqëria civile e Kosovës për të realizuar ndryshime pozitive të politikave mbi dhunën me bazë gjinore dhe ndarjet etnike u lanë nën hije gjatë vitit nga një rritje e dhunës në Veriun me shumicë serbe, ku ndikimi dhe veprimet e qeverisë serbe, vazhdojnë të cenojnë autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj”, thuhet në raport.
Përmirësimet modeste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ishin në baraspeshë me rëniet në Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa rezultati i Serbisë mbeti i pandryshuar.
