Katari financon Bulevardin e Ri/ 11 mln € grant për projektin Grimshaw, Veliaj: Projektojmë Tiranën e 100 viteve
Qeveria e Katarit do të financojë me një grant prej 11 milionë eurosh përfundimin e projektit të bulevardit të ri. Në takimin me ambasadorin, kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet se po i jepet formë kryeqytetit të 100 viteve të ardhshme
Punimet në bulevardin e ri të tiranës do të vijojnë për të realizuar të plotë projektit të studios Grimshaw. Për këtë qëllim është arritur marrëveshja mes bashkisë së Tiranës dhe qeverisë së Katarit që do të financojë me një grant prej 11 milionë eurosh.
“Sot kemi marrë një super lajm të mirë nga nga Katari, për të cilin i shpreh mirënjohjen time Emirit të Katarit, Shkëlqesisë së tij Al Thani, por edhe mikut tonë, ambasadorit Al Marri. Qeveria e Katarit na ka akorduar një grant prej 11 milionë eurosh për sheshin përfundimtar te “Bulevardi i Ri”, një shesh që do të jetë një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë së Katarit, i projektuar nga studio Grimshaë, që mbyll në mënyrë solemne “Bulevardin e Ri”, aty ku ndahemi me Kamzën. Jam vërtet shumë Mirënjohës sepse është një projekt që ka nevojë për atë që quhet ‘qershia mbi tortë’, për një mbyllje ceremoniale”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj së bashku me ambasadorin e Katarit Ali bin Hamad Al-Marri në prezantimin e marrëveshjes u shpreh se me bulevardin e ri projektohet Tirana e 100 viteve të ardhshme.
“Besoj fort se do të lëmë një shenjë që do të jetë aty përtej mandateve tona. Ndaj, ju jam vërtet shumë mirënjohës, Emirit të Katarit, Fondit të Katarit për Zhvillim dhe gjithë miqve të përbashkët. Ashtu siç kemi bërë punë cilësore për shkollat dhe për kopshtet, më vjen mirë që do të kemi vërtet një punë monumentale në Bulevardin e ri të Tiranës, ku praktikisht do të marrë formë Tirana e 100 viteve që vijnë.
Aty kemi parashikuar të ndërtojmë bashkinë e re, kemi parashikuar të kalojnë gjykatat, Prokuroria dhe disa nga ndërtesat e rëndësishme si Pallati i ri Koncerteve, apo Muzeu i Artit Modern, dhe mbyllja me atë shesh spektakolar të Katarit besoj se do të jetë vërtet përgjigja e merituar për të gjithë këtë përpjekje të përbashkët për Tiranën, që ecën përpara dhe që modernizohet përditë," tha ai.
Sheshi i ri do ndërtohet në pjesën fundore të Bulevardit të Ri, përgjatë Lumit të Tiranës, dhe do të ketë disa hapësira pedonale për qytetarët. Po ashtu, do të krijohen parqe në të dyja anët e lumit, si dhe hapësira të tjera çlodhëse e argëtuese për fëmijët dhe të rriturit.
