Për rrugët nuk ka pushime, Veliaj: Shfrytëzojmë sezonin e verës për të intensifikuar punën
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka vendosur të shfrytëzojë sezonin e verës për të intensifikuar punën në shtrimin e rrugëve. Në takimet në njësinë 12 ai është shprehur se duhet shfrytëzuar kjo periudhë kur qytetarët janë në bregdet për të vijuar projektet
Një javë pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar vijimin e fushatës për shtrimin e rrugëve në lagje. Në njësinë 12 ai ka inspektuar punimet në akset që lidhin zonën mes Freskut dhe Dajtit.
"Në 364 ditët e tjera ka vetëm punë, kështu që, për të gjithë ata që thoshin se ky është asfalt elektoral, ne ende s’kemi mbaruar me lotin e parë që filluam këtë vit. Sigurisht, ca ditë të vonon shiu dhe koha e keqe, por lajmërimi për qytetarët është se loti i dytë i rrugëve kapilare, i shtrimit me asfalt është dy herë më i madh sesa loti i parë," tha ai.
Veliaj ka paralajmëruar se nuk do të ketë as pushime në sezonin e verës
"Ajo pakicë që ankohet nga punët në Tiranë, s’kanë parë gjë akoma, se loti i dytë për asfaltimin e rrugëve do jetë edhe më intensive. Do të shfrytëzojmë kohën kur njerëzit janë me pushime, kur ka më pak trafik, në mënyrë që mjetet e rënda të punojnë, sigurisht edhe me mirëkuptimin e jashtëzakonshëm nga banorët, do jetë më e kollajtë për të hyrë nëpër cepat e mbetur pa ndërhyrje nga dora e parë," tha ai.
Në takime Veliaj falenderoi qytetarët për votën në bashki ku fitoi me rreth 50 mijë vota diferencë ndaj kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë Belind Këlliçi.