Colella kritikon skuadrën për paraqitjen në ndeshjen derbi

Trajneri i Partizanit, Giovani Colella nuk arrin ta “gëlltisë” barazimin në derbi dhe më tepër se barazimin, lojën e zhvilluar nga skuadra e tij në atë sfidë që mund të konsiderohej edhe si vendimtare për sezonin. Në prag të transfertës së Shkodrës ku të kuqtë do të kenë edhe një sy e vesh nga Laçi, trajneri italian i “demave” shprehet:                                                              

Giovanni Colella:

“Paraqitja nuk më ka bindur dhe jam disi i nxehur. Nuk është problem rezultati, por problemi është që nuk bëmë atë që duhej të bënim dhe motivet për atë që nuk u arrit, janë të shumta. Është normale që ndeshjet i nis për të fituar. Ndershmërisht them që në derbi kemi bërë shumë pak për të fituar. Më mirë se të humbasësh, është një pikë. Vazhdojmë përpara. Por duhet të them që edhe nëse fitojmë, duhet të presim të humbasë kundërshtari.

Në këtë moment Vllaznia është e rrezikshme sepse kanë humbur ndeshje dhe kanë fituar në javën e fundit dhe janë në garë për Europën. Ne do të luajmë gjithçka për gjithçka. Kemi të paktën 5-6 ndeshje në të cilat duhej të fitonim. Nga humbja me Laçin, ishim të detyruar të fitonim të gjitha ndeshjet por nëse skuadra bën atë që duhet të bëjë jam i bindur se bëjmë mirë. Historia në kampionatin tonë ka treguar se nëse nuk bëjmë gjërat që dimë, është problem.

Vllaznia këtë sezon ka qenë kundërshtar i vështirë sepse ka skuadër të mirë. Do të jetë ndeshje e vështirë sepse kemi të nevojshme 3 pikët si ne, ashtu edhe Vllaznia.

Nuk jam shumë i zoti për ta thënë sa shanse kemi por e them që duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet. Edhe nëse fitonim derbin, do të duhej të fitonim 3 ndeshjet e radhës. Në derbi fatin e kishim në dorë ndërsa tani nuk e kemi më. Kjo është një diferencë”.

E them gjithmonë se më intereson paraqitja e skuadrës. Nëse është e mirë vjen edhe rezultati. Ajo që më ka hidhëruar në derbi, nuk ishte rezultati por nga paraqitja e skuadrës në fushë. Dua ta nënvizoj këtë sepse paraqitja nuk është vetëm për faj të lojtarëve. Është i gjithë ambienti që ndoshta nuk e ka përgatitur mirë ndeshjen me Tiranën".